Gjatë vizitës së tij në Angli, kryeministrri Edi Rama u prit edhe nga homologu i tij anglez Rishi Sunak.
Pritja e tij u bë në Downing Street, vizita e parë kjo e një kryeministri shqiptar në këtë godinë historike.
Gjatë bashkëbisedimit me Sunak, Rama shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar për emigrimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Anglisë dhe goditjes së bandave kriminale, pjesë e të cilave janë dhe persona nga Shqipëria.
“Faleminderit kryeministër, jam shumë i nderuar. Sikurse e dini, kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike. Jam falënderues për këtë. Është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona.
Sikurse ju e thatë, ne po bashkojmë forcat për të bërë gjithçka për të goditur rrjetet kriminale dhe të shmangim që njerëzit e pafajshëm të bien pre e këtyre rrjeteve.
Në të njëjtën kohë, unë ju falënderoj sepse është një mundësi të theksojmë se ashtu si jo të gjithë britanikët nuk janë James Bond ose Mr. Bean, jo të gjithë shqiptarët janë si disa karaktere të jashtëligjshme.
Djali që vjen me gomone… nuk është vetëm ai shqiptari, por është pjesë e një kornize të gjerë. Dua Lipa nuk është thjesht një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të kënduar për ju.
Ne duam t’ju sigurojmë se komuniteti shqiptar këtu ndihet jo vetëm i sigurt, por dhe i nderuar. Objektivi ynë i përbashkët është të fitojmë këtë betejë. Jemi të interesuar të forcojmë bashkëpunimin midis nesh. Jam vërtet serioz për të pasur marrëveshje jo thjesht në fjalë. Pres që të bëjmë më të mirën së bashku,” u shpreh kryeministri Rama.
Nga ana tjetër, Sunak tha se ndihet i lumtur për progresin e bërë ndërsa i ka theksuar se ka dëshirë që të diskutojë për ekonominë dhe për sigurinë kibernetike.
“Rama kënaqësi t’ju mirëpresim në Britani, në Downing street. Britania dhe Shqipëria kanë tashmë një partneritet të ngushtë dhe po pres me padurim që ti forcojmë edhe më tej ato marrëdhënie me ju sot. Gjatë vitit të kaluar ne biseduam për të ndëshkuar emigrimin e paligjshëm dhe jam i lumtur për progresin që kemi bërë në atë drejtim. Do ta diskutojmë më shumë edhe më vonë. Dua gjithashtu të diskutoj me ju për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si edhe në fushën e sigurisë, specifikisht mbi sulmet kibernetike të cilat ju keni kaluar. Për të gjitha këto dhe më shumë jam i lumtur që do të diskutojmë së bashku, por së pari kënaqësi që ju pres këtu.”– u shpreh Sunak.