Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar qeverinë Rama se po vjedh taksapaguesit përmes ‘bandës kriminale që drejton energjinë’.
Gjatë fjalës në Kuvend, ai tha se energjia e prodhuar në Shqipëri shitet me 30-40 euro duke zbrazur digat, ndërkohë që sekserët e qeverisë e rishesin atë në tregun rajonal e evropian me pesëfishin e çmimit.
Berisha iu drejtua ish-ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri, duke i thënë se shumica edhe gjuhën e përdor për vjedhje.
“Këtu kanë sjellë dhe diskutohet për një ligj për energji, ata të cilët e kanë shndërruar energjinë, kaskadën, në një mallkim për ju dhe e kanë realizuar këtë vetëm e vetëm duke vjedhur. Sjellin këtu një ligj qesharak ku zotohen se pas kaq vitesh do arrijnë një 54% të rinovueshme të energjisë. Po ju edhe gjuhën e përdorni për të vjedhur Damian, edhe foljet i vendosni sipas xhepit. Dy vitet e fundit hidrocentralet private kanë prodhuar 58% të prodhimit të përgjithshëm. Organizata kriminale që drejton energjinë, çdo verë ka zbraz digat duke shituar me 30-40 euro energjinë sekserëve të tyre, dhe këta e rishesin në tregun rajonal dhe europian me 5-fishin dhe paratë i ndajnë me këta që shihni pas meje, me në krye Ramën. Vjedhje dhe vetëm vjedhje.” – tha Berisha.