Vendosni fjalën kyçe....

Xi mesazh Putinit: Rusia e Kina do nxisin ndryshimin ‘që nuk ka ndodhur në 100 vjet’


Udhëheqësi komunist kinez Xi Jinping pohoi se regjimi i tij dhe Rusia e Vladimir Putinit po punojnë së bashku për të çuar përpara një ‘ndryshim’ që nuk është parë në skenën botërore për një shekull.

Putin e priti Xi-n në Moskë si një mysafir nderi këtë javë, ndërsa dy vendet vijojnë të përfshihen në rritjen e bashkëpunimit diplomatik, ekonomik dhe ushtarak.

Ndërsa Xi u largua nga Kremlini më 22 mars, ai iu drejtua Putinit dhe tha me një buzëqeshje: “Kjo është pikërisht, pikërisht tani, ndryshimi që nuk ka ndodhur në 100 vjet. Dhe jemi ne, së bashku, që po i çojmë përpara këto ndryshime.”

Putin u përgjigj: “Jam dakord”.

“Kujdesu për veten, mik i dashur,” tha Xi përpara se të dy të shtrëngonin duart.

Putin më pas i uroi Xi një udhëtim të sigurt dhe përshëndeti liderin kinez nga trotuari, ndërsa Xi u largua me makinën e tij shtetërore.

Shkëmbimi i ndarjes së dy liderëve u kap në kamera nga mediat.

Kina dhe Rusia zotohen të krijojnë rend të ri botëror

Deklarata vjen një ditë pasi udhëheqësit u zotuan hapur se do riformësojnë rendin ndërkombëtar sipas interesave të tyre, me Putinin duke thënë se Kina dhe Rusia do krijonin një ‘rend botëror shumëpolar’ më të drejtën për të zëvendësuar ‘rregullat’ e rendit ndërkombëtar të tanishëm.

Referenca e Xi-së për një ndryshim të paparë në një shekull mund të jetë një aludim për çimentimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregullat moderne që morën formë pas Luftës së Parë Botërore, me Shtetet e Bashkuara që përfundimisht u shfaqën si një superfuqi.

Gjithashtu rreth një shekull më parë, u themelua Partia Komuniste Kineze (PKK), e cila tani sundon Kinën si një shtet njëpartiak. Vite më parë, bolshevikët mposhtën mbetjet e fundit të Ushtrisë së Bardhë dhe forcuan Bashkimin Sovjetik, në të cilin Putin do të shërbente më vonë si nënkolonel i shërbimit të inteligjencës së jashtme të ushtrisë.

Xi dhe Putin deklaruan fillimisht një partneritet ‘pa kufij’ në shkurt 2022, disa javë përpara se Rusia të niste përpjekjen e saj për pushtimin e Ukrainës.

Pritja e Xi-së këtë javë ishte gjesti më madhështor diplomatik që Putin ka kryer që nga ajo kohë, duke pasur parasysh izolimin e Rusisë në skenën botërore.

Putin dhe Xi, të cilët iu referuan njëri-tjetrit si ‘miq të dashur’ gjatë bisedimeve, më 21 mars premtuan rritje të bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik, duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët për të thelluar ‘partneritetin strategjik gjithëpërfshirës’ të kombeve.

Marrëveshjet mbështesin më tej Pekinin dhe aleancën de facto të Moskës, e cila është rritur që kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë. Gjatë asaj kohe, Kina komuniste është bërë partneri më i rëndësishëm i Rusisë në tregti dhe diplomaci, duke ndihmuar Moskën të vijojë luftën mes sanksioneve ndërkombëtare shkatërruese.

Putin tha se Rusia është e gatshme të mbështesë kompanitë kineze që kërkuan të zëvendësojnë bizneset perëndimore që u larguan nga vendi për shkak të luftës dhe se të dy vendet duhet të nxisin bizneset të përdorin monedhat e tyre.

Dy udhëheqës diskutuan gjithashtu ndërtimin e një tubacioni të dytë që mund të dyfishojë eksportet e gazit të Rusisë në Kinë, tha Putin.

Po kështu, një deklaratë nga Partia Komuniste Kineze tha se dy kombet ‘ndanë pikëpamjen se kjo marrëdhënie ka shkuar shumë përtej fushëveprimit dypalësh dhe ka marrë një rëndësi kritike për peizazhin global dhe të ardhmen e njerëzimit’.

Frikë nga mbështetja kineze për pushtimin rus

Partneriteti në rritje midis dy fuqive gjatë gjithë luftës ka shqetësuar shumë liderë të vendeveperëndimore se regjimi i Pekinit mund të ofrojë ndihmë të rëndësishme për Rusinë në luftën në Ukrainë, duke përshkallëzuar kështu konfliktin dhe ndoshta duke e zgjeruar luftën te kombet e tjera.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se Kina mund të sigurojë armë ose municione për ushtrinë ruse dhe muajt e fundit ka theksuar se regjimi nuk e ka hequr një marrëveshje të tillë nga tavolina.

Shtëpia e Bardhë e ka pranuar tashmë se kompanitë kineze kanë mbështetur drejtpërdrejt luftën e Rusisë në Ukrainë, por nuk ka thënë se një mbështetje e tillë përbën ndihmë të rëndësishme.

Për shembull, kur Shtëpia e Bardhë lëshoi ​​sanksione ndaj shumë organizmave ndërkombëtarë që lidhen me luftën e Rusisë më 24 shkurt, ajo synoi gjithashtu entitete kineze të akuzuara për furnizim të industrisë ruse të mbrojtjes, duke ndihmuar në mënyrë efektive regjimin të shmangë sanksionet.

Sipas medias gjermane ‘Der Spiegel’, Kina falsifikoi dokumentet e transportit për të maskuar pajisjet e aviacionit ushtarak të destinuar për në Rusi si të natyrës civile dhe përdori ndërmjetësues në Emiratet e Bashkuara Arabe për të dorëzuar drone me përdorim të dyfishtë në Rusi.

I njëjti raport pretendonte se Kina aktualisht po përgatit një dërgesë të dronëve vetëvrasës në Rusi për përdorim në Ukrainë.

Në mënyrë të ngjashme, një raport nga Kyodo Neës i Japonisë që citon burime anonime të qeverisë amerikane pretendon se municione kineze janë gjetur në fushat e betejës në Ukrainë. Raporti sqaroi, megjithatë, se nuk kishte asnjë provë që Kina ia shiste municionet drejtpërdrejt Rusisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Epoch Times