Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi shkon të kallëzojë aplikacionin ‘Aktivisti’, SPAK s’e merr në dorëzim


Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi u paraqit sot në SPAK për të kallëzuar aplikacionin ‘Aktivisti’.

Megjithatë siç e zbuloi ai vetë, SPAK nuk e ka marrë në dorëzim kallëzimin.

Gjatë deklaratës së tij për mediat para godinës së prokurorisë, Bylykbashi, theksoi se aplikacioni ka të bëjë me kontrollin e zgjedhësve e një plan kriminal sistematik që e ka burimin te zyra e kryeministrit Rama dhe që shtrihet në gjithë administratën.

Ai i bëri thirrje prokurorisë që të ndalojë e të vërë para përgjegjësisë të gjithë personat që dhunojnë të drejtat e zgjedhësve.

“Erdhëm në SPAK për ta dorëzuar, për fat të keq SPAK nuk e mori në dorëzim. Kanë vendosur procedura burokratike. Ne do ta çojmë përpara këtë kallëzim. Ka të bëjë me kontrollin e zgjedhësve, me një kontroll sistematik, me një plan kriminal që ka burimin drejtpërdrejt nga kryeministri, nga këshilli i ministrave, i shtrirë në të gjithë administratën. Ne kërkojmë që nëpërmjet veprimit energjik të SPAK të ndalen dhe vihen para përgjegjësisë të gjithë këta individë që po dhunojnë të drejtat e zgjedhësve. I bie barra këtij institucioni të krijojë një situatë ku ndoshta zgjedhësit të kenë besim në një proces zgjedhor të brutalizuar. Është cenuar sekreti dhe liria e votës. Përdorimi i këtij aplikacioni kriminal është shumë më keq se patronazhistët.” – tha ndër të tjera Bylykbashi.