Në përvjetorin e bombardimeve, Dodik bëri thirrje për bashkimin e RS-së dhe Serbisë
Të ardhmen e shoh në bashkimin e Serbisë dhe Republikës Sërpska, tha Milorad Dodik, lider i Republikës Sërpska, entiteti ky i Bosnje e Hercegovinë’
Dodik e bëri këtë deklaratë, të premten, më 24 mars, në Sombor, ku zyrtarët e Serbisë po e shënojnë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.
Bombardimi i ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, në vitin 1999, filloi për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë.
Në fjalimin zyrtar, Dodik përsëriti kërcënimet për shkëputjen e Republikës Sërpska(RS).
“Tani ata duan të rrëmbejnë pronën, ndërkaq unë u them – në momentin që ju përpiqeni të rrëmbeni pronën tonë, ju keni thirrur një seancë të Kuvendit të Republikës Sërpska, ku do të marrim një vendim për pavarësinë e Republikës Sërpska. Mjaft më me premtimet e juaja të rreme, nuk do t’ju shikoj dhe nuk do t’ju duroj”, tha Dodik.
Mesazhi i tij vjen një ditë pas vendimit të Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britaninë e Madhe dhe publikimit të një projektligji që detyron organizatat joqeveritare të raportojnë të gjitha transaksionet që financohen nga jashtë.
Vendimi është marrë në seancën e qeverisë së këtij entiteti, të enjten, më 23 mars, në Banja Llukë.
“Ata duan vetëm një gjë, që serbët të largohen. Rroftë ideja e bashkimit të popullit serb. Dhe ne duam të bashkohemi. Do ta bëjmë në mënyrë paqësore”, tha Dodik.
Në vargun e vendimeve të diskutueshme, Asambleja e RS miratoi gjithashtu një projektligj, me të cilin shpifja dënohet penalisht, me gjoba deri në 60,000 euro.
Nndaj ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike dhe shënjestrimit të organizatave joqeveritare, ndër të parat ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Sarajevë, e cila tha se njoftimet e kryetarit të Republikës Sërpska janë “edhe një hap tjetër në rrugën e rrezikshme që ai zgjodhi – rruga e izolimit dhe e sundimit autoritar”.
Bashkimi Evropian reagoi gjithashtu edhe ndaj ndryshimeve në Kodin Penal të Republikës Sërpska, të cilat rivendosin dënimet penale për shpifje. Duke shprehur keqardhjen, siç raportohet, ajo bëri thirrje që amendamenti të tërhiqet.
Pavarësisht thirrjeve të shumta nga komuniteti ndërkombëtar, se bëhet fjalë për ligje që nuk janë vlera evropiane, Dodik nuk hoqi dorë nga synimi i tij për miratimin e tyre.
Lideri i Republikës Sërpska tashmë është në listën e personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, për korrupsion dhe shkelje të legjitimitetit dhe funksionalitetit të shtetit të Bosnje e Hercegovinës./REL.