Vendosni fjalën kyçe....

Ermal Dredha zgjidhet kandidati i PS-së për kryetar bashkie në Vlorë


 

Ermal Dredha do të jetë kandidati i PS për bashkinë e Vlorës.

Dredha doli fitues në votimin e fshehtë të Asamblesë së PS-së. Përballë Dredhës në garë ishte edhe ish deputeti i PS, Fate Veliaj, i cili nuk siguroi votat e mjaftueshme.

Sakaq, PS pritet të zyrtarizojë sot të 61 kandidatët që do të garojnë më 14 maj për Bashkitë e vendit. Zyrtarizimi I kandidatëve do të kryhet në mbledhjen e Asamblesë së PS. Kujtojmë se 27 marsi është afati I fundit për regjistrimin e kandidatëve në KQZ.

Por kush është Ermal Dredha?

Pak ditë më parë Hashtag. al publikoi një shkrim “PASHALLËKU I FUNDIT I SHOKUT GRAMOZ”, ku nxjerr në pah luftën e Gramoz Ruçit prej afro tre muajsh, i cili është aktivizuar në mënyrë agresive për të imponuar në strukturat socialiste të Vlorës një kandidat për kryetar bashkie që është lidhje direkte e tarafit të tij familjar.

Dhe pikërisht Ruçi synon të bëjë kryetar të Bashkisë së Vlorës vëllanë e dhëndrit të shtëpisë së tij, kandidatin potencial Ermal Dredha.

Ky i fundit vjen nga një familje e shkëlqyer, është i biri i Neki Dredhës ish-kryebashkiak i Vlorës në fund të viteve 90-të, njeri me reputacion shumë të mirë në qytet, ndërsa Ermali ka një karrierë të pasur si diplomat dhe posedon lidhje shumëfishe në botën arabe ku dhe ka funksionuar si përfaqësues i shtetit tonë.

Qëllimi i Ruçit për të investuar vëllanë e dhëndrit të tij në Bashkinë e Vlorës, u bë fakt i kryer pak javë më parë kur Ermal Dredha bëri sërish pasaportizimin në këtë qytet, pasi kishte më shumë se një dekadë që ishte pasaportizuar në Tiranë.

Ruçi nga prapavija e di mirë se Vlora është një terren shumë i vështirë për të, do ishte i tillë dhe sikur ai të vijonte aktiv në politikë.

Ndërkohë është për tu përmendur edhe konflikti mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të Bashkisë Vlorë Dritan Leli ku vet kryeministri është shprehur më herët për Lelin në takimet me strukturat socialiste se, ai ka dezertuar në betejën e PS-së duke mos dhënë asnjë kontribut në zgjedhjet e 25 prillit.