Vendosni fjalën kyçe....

Lirohet nga burgu Paul Rusesabagina, heroi i “Hotel Ruanda”


Paul Rusesabagina në gjykatë, shkurt 2021

Paul Rusesabagina, një ish-menaxher hoteli i portretizuar si një hero në filmin hollivudian “Hotel Rwanda” është liruar nga burgu në Kigali.

Dy vjet më parë, ai u dënua me 25 vjet për terrorizëm nga një gjykatë në Ruandë në atë që mbështetësit e quajtën një gjyq të rremë.

Një zëdhënës i qeverisë tha se dënimi i Rusesabagina ishte “zbutur me urdhër presidencial”.

Rusesabagina, 68 vjeç, vlerësohet se ka shpëtuar rreth 1200 njerëz gjatë gjenocidit të vitit 1994.

Presidenti amerikan Joe Biden e quajti lajmin për lirimin e tij një “rezultat të lumtur”.

“Familja e Paul është e etur për ta mirëpritur atë në Shtetet e Bashkuara dhe unë ndaj gëzimin e tyre për lajmin e mirë,” tha ai në një deklaratë.

U deshën vite presioni diplomatik dhe bisedime të ndërmjetësuara nga Katari që Rusesabagina të lirohej.

Pjesa më e madhe e këtij presioni erdhi nga Shtetet e Bashkuara, ku ai kishte jetuar që nga viti 2009. Administrata Biden ka thënë se ai ishte “arrestuar gabimisht”.

Familja e Rusesabagina thotë se qeveria e Ruandës e joshi atë të kthehej në Ruanda  ngaTeksasi, ku ai kishte vendbanim të përhershëm, në vitin 2020.

Ai u largua nga Ruanda në vitin 1996. Historia e tij mbeti kryesisht e panjohur për një dekadë, ndërsa ai punonte si shofer taksie në kryeqytetin belg, Bruksel.

Ai u shfaq në një pjesë të librit të gazetarit Philip Gourevitch të vitit 1998 për gjenocidin, por ishte filmi hollivudian i vitit 2004, ku ai u luajt nga Don Cheadle, që i solli atij vëmendjen globale.

Gjenocidi i Ruandës zgjati 100 ditë nga prilli 1994, kur 800,000 njerëz, kryesisht nga grupi etnik Tutsi, u masakruan nga ekstremistët e komunitetit Hutu.

Rusesabagina – një menaxher hoteli në atë kohë – mbrojti rreth 1200 njerëz nga dhuna, pasi ata kërkuan strehim në ndërtesë.

Një vit më pas ai u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë nga Presidenti i atëhershëm i SHBA, George W Bush për përpjekjet e tij. Por ai u bë një kritik i ashpër i presidentit të Ruandës, Paul Kagame.

Në një video-mesazh të vitit 2018, Rusesabagina bëri thirrje për një ndryshim regjimi, duke thënë se “ka ardhur koha që ne të përdorim çdo mjet të mundshëm për të sjellë ndryshim në Ruandë”.

Ai u arrestua në vitin 2020, kur, sipas mbështetësve të tij, një avion privat që ai besonte se do ta çonte në Burundi, në vend të kësaj u ul në kryeqytetin e Ruandës Kigali.

Në shtator 2021 ai u shpall fajtor për mbështetjen e një grupi rebel pas sulmeve vdekjeprurëse në 2018 dhe 2019 në Ruanda.

Rusesabagina u lirua së bashku me Callixte Nsabimana, zëdhënëse e Lëvizjes së Ruandës për Ndryshim Demokratik – një parti politike opozitare.

Një zëdhënës i qeverisë së Ruandës tha: “Askush nuk duhet të ketë asnjë iluzion se çfarë do të thotë kjo, pasi ekziston konsensus se janë kryer krime të rënda, për të cilat ata janë dënuar.

“Sipas ligjit të Ruandës, ndryshimi i dënimit nuk e shuan dënimin themelor.

Ruanda vë në dukje rolin konstruktiv të qeverisë amerikane në krijimin e kushteve për dialog për këtë çështje, si dhe lehtësimin e ofruar nga shteti i Katarit.