Vendosni fjalën kyçe....

Transport falas në Tiranë, a duhet besuar Belindi?


Ditën e djeshme kandidati i opozitës për Bashkinë Tiranë Belind Këlliçi bëri një premtim që u pasua nga një reagim përgjithësisht shpotitës e tallës në rrjetet sociale.

Ai premtoi se nëse do fitojë zgjedhjet, transporti publik në kryeqytet do bëhet falas, duke u bërë kryeqyteti i dytë në Evropë pas Luksemburgut (një nga vendet me standardin më të lartë të jetës në BE) me këtë shërbim.

Premtimi i Këlliçit, është tejet delikat duke pasur parasysh problematikat e mëdha me të cilat përballet Tirana, problematikat me transportin publik, ku mjetet alternative të transportit mungojnë krejtësisht, për më tepër duke pasus parasysh kostot e një shërbimi të tillë në kryeqytet, që vitet e fundit është zgjeruar për shkak të shtrirjes së hartës së ndërtimeve.

Në vetvete, ideja dhe qëllimi i Këlliçit janë shumë të mira. Por deri tani kandidati i opozitës nuk ka prezantuar ende mënyrën se si mendon ta realizojë premtimin aspak të lehtë  që ka bërë, premtim që kërkon një plan  të mirëstudiuar në hollësi.

Ndërsa në rrjet, mbrojtësit e premtimit të Këlliçit kanë përmendur si mundësi subvencionimi të transportit publik falas, ndërprerjen e pagesave të inceneratorit të Tiranës, edhe kjo është një çështje që kërkon kujdes të veçantë.

Mbetjet në qytetet e mëdha janë një nga sfidat më të vështira me të cilat përballen kryebashkiakët edhe në qytete si Parisi, Roma etj.e Tirana nuk mbetet jashtë kësaj liste.

Kështu që Këlliçit i duhet që përveçse të mbulojë koston financiare të transportit publik falas, të mbajë edhe një Tiranë të pastër, gjë për të cilën ai e ka akuzuar në jo pak raste kryebashkiakun Veliaj.

Deri tani Këlliçi nuk ka prezantuar ende asnjë plan të këtillë e do jenë ditët në vijim ato që do tregojnë nëse kandidati i opozitës ka një plan të mirëmenduar si do e realizojë premtimin e tij për transport publik falas, apo do kthehet në material për rrjetet sociale e rivalin e tij, në meme.

/Hashtag.al