Ish-kryeministri Sali Berisha, ka prezantuar sot kandidatin e tij për zgjedhjet lokale të 14 majit në bashkinë Peqin, zotin Mustafa Pashja.
Berisha e quajti frymën e krijuar opozitare entuziaste duke thënë se kjo është beteja e vendosjes së pluralizmit.
Berisha hoqi një paralele mes kandidatëve të tij dhe atyre të mazhorancës, duke i quajtur këta të fundit të lidhur me mafien, ndërsa të tijët si nuse e dhëndurë të lirisë.
“Ky entuziazëm është energjia e bashkimit të shqiptarëve në një betejë historike, në betejën e rivendosjes së pluralizmit, energjia e fitores më 14 maj të kandidatëve të Primareve në mbarë Shqipërinë, energjia e ndryshimit që po vjen, e shpresës që sjell ndryshimi.
Kandidatët e Primareve janë nuset e dhëndurët e lirisë. Sot në Peqin e mbarë Shqipërinë kemi kandidatë më të mirë se kurrë më parë.
Krahasojini me kandidatët e palës tjetër që dalin në 12 të natës si nga bodrumet e mafias, nga padrino i mafias më të rrezikshme në Europë, Edi Rama.” u shpreh Berisha.