Vendosni fjalën kyçe....

Fitimet e shoqërive administruese të fondeve të pensionit ranë me 41% vitin e kaluar


Viti negativ për fondet e investimit solli rënie të fitimeve të shoqërive administruese, por megjithatë shumica e tyre arritën të ruanin një rezultat financiar pozitiv për 2022.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se fitimi neto i shoqërive administruese të fondeve të pensionit dhe investimit vitin e kaluar zbriti në 90 milionë lekë, në rënie me 41% krahasuar me një vit më parë.

Rënia e fitimeve erdhi sidomos nga ulja e të ardhurave nga administrimi i fondeve. Asetet neto të fondeve të investimeve pësuan rënie me pothuajse 44% vitin e kaluar.

Duke qenë se burimi kryesor i të ardhurave të shoqërive janë pikërisht tarifat e administrimit, kjo rënie e ndikoi negativisht bazën e të ardhurave. Rënia u kompensua pjesërisht nga vijimësia e rritjes së aseteve të fondeve private të pensioneve (për ato shoqëri që administrojnë një të tillë), me 24% krahasuar me vitin 2021.

Megjithatë, efekti neto ishte negativ, edhe duke pasur parasysh se tregu i fondeve të pensionit ngelet në përmasa të kufizuara, me asete totale në vlerën e rreth 50 milionë eurove ose sa 12% e aseteve të fondeve të investimit.

Kompania më e madhe, Raiffeisen Invest për vitin 2022 arriti një fitim neto prej afërsisht 65 milionë lekësh, në rënie me 49% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat e kompanisë u tkurrën me 16%, të ndikuar kryesisht nga rënia e vlerës së aktiveve të fondeve nën administrim.

Rezultati i Raiffeisen Invest ngelet përcaktues në ecurinë e tregut, duke qenë se kjo kompani administron pjesën dërrmuese të aseteve të fondeve të investimit dhe pensionit. Raiffeisen Invest administron fondet e investimit Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Vizion, Raiffeisen Invest, Raiffeisen Mix dhe fondin e pensioneve Raiffeisen Pension.

Ato përbëjnë rreth se 85% të aseteve totale të tregjeve të fondeve të investmeve dhe pensioneve, çka i jep Raiffeisen Invest dominim edhe në strukturën e të ardhurave dhe të fitimeve të tregut.

Fitimin e dytë më të lartë në vlerë për vitin 2022 e arriti Credins Invest, me 13.7 milionë lekë, në rënie me 37.7% krahasuar me vitin 2021. Rënia e rezultatit financiar edhe për Credins Invest u përcaktua nga zvogëlimi i të ardhurave prej tarifave të administrimit. Credins Invest vitin e kaluar administronte fondin e pensioneve Credins Pension, fondin e investimeve Credins Premium dhe fondet e investimeve alternative Sea Land Investment Fund dhe Green Vieë Alternative Investment Fund.

Shoqëria tjetër, SIGAL – Life UNIQA GROUP AUSTRIA, për vitin 2022 raportoi një fitim neto në vlerën e 9.5 milionë lekëve, në rënie me 27% krahasuar me vitin 2021. Rënia e fitimi erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të shoqërisë administruese, që administron fondin e pensioneve SIGAL Pension.

Kompania administruese WVP Fund Management Tirana, ka shënuar vitin e dytë me rezultat financiar pozitiv, në vlerën e 2.5 milionë lekëve, 50% më pak krahasuar me një vit më parë. WVP Fund Management Tirana administron dy fondet e investimit, WVP Top Invest dhe WVP Global.

Shoqëria Albsig Invest, e mbylli vitin 2022 me rezultat financiar lehtësisht negativ, në vlerën e 32 mijë lekëve. Humbjet u ngushtuan me 99.8% krahasuar me vitin 2021, falë rritjes së të ardhurave nga tarifat e administrimit dhe njëkohësisht nga një ulje e lehtë e shpenzimeve të shoqërisë.

Deri në fund të vitit 2022, Albsig Invest administronte fondin e investimeve Albsig Standard dhe fondin e pensioneve Albsig Pension, por ndërkohë vitin e kaluar licencoi edhe dy fonde të tjera, një për investime dhe një për pensione.

Kompania më e re, ABI Invest e mbylli vitin 2022 me humbje në vlerën e 2.8 milionë lekëve. Megjithatë, edhe për ABI Invest, humbjet u ngushtuan ndjeshëm, me 75% më pak krahasuar me vitin 2021. Përmirësimi i rezultatit financiar erdhi kryesisht nga rritja e të ardhurave prej administrimit të fondeve. Kjo shoqëri administron tre fonde investimi, ABI EIA, ABI FLEX EUR dhe ABI FLEX USD. /E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor