Vendosni fjalën kyçe....

Kombëtarja pëson disfatë ndaj Polonisë me rezultatin e ngushtë 1-0


Ndeshja e shumëpritur Shqipëri- Poloni, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, ishte zhgënjyese për kombëtaren tonë dhe tifozat e kuqezinjve, pasi u mund  1-0 në Varshavë, në një sfidë mjaft emocionuese.

Sinjalet e para në këtë takim i lëshon Sokol Cikalleshi. Sulmuesi del mirë nga krahët dhe përpiqet që të dërgojë një top në zonë, por asnjë nga shokët e skuadrës nuk e mbërriti dot.

Ekipi i Santos u kundërpërgjigj pas pak minutash me Zalewskin, por goditja e tij u ndal nga Strakosha.

Në mesin e pjesës së parë, sërish Cikalleshi protagonist me një gjuajtje nga distanca, por Sczezny i tha jo, me një super-pritje .

Një top i kthyer pas një gjuajte të Kaminskit përfundon në gol nga Swiderski, i cili nga  pranë portës u tregua i saktë.

Pjesa e dytë nis me shumë dëshirë për Shqipërinë, Uzuni dhe Asllani “kërcënuan” kuadratin e skuadrës vendase, por vetëm kaq.

Lewandowski shfaqet në minutën e 63-të, pati rastin për të dyfishuar shifrat, Mihaj largoi topin në vijën fatale, duke na mbajtur në lojë.

Trajneri i përfaqësueses tonë, Silvinjo në debutimin e tij preferoi të aktivizonte Asanin dhe Mehmetin, lojtarë të cilët luajnë për herë të parë me kombëtaren, efekti i tyre nuk ishte i menjëhershëm, edhe pse shpalosën cilësi në momente të caktuara.

Deri në fund, Polonia mbrojti rezultatin, duke marrë kështu 3 pikët e para në kualifikuese dhe duke u renditur në vendin e dytë. Shqipëria renditet në vendin e fundit me 0 pikë.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Çekia kryesuese (4 pikë) nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 me Moldavinë (2 pikë, vendi i 3-të).