Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ngritur shqetësimin mbi trafikun e rënduar rrugor që ndikon në përkeqësimin e shëndetit te njerëzit.
Në statusin e postuar prej tij në Facebook, Meta i referohet një studimi, ku shprehet se zhurma e trafikut shkakton tension të lartë të gjakut, sidomos kur ai shoqërohet edhe nga ajri i ndotur dhe Tirana i ka të dyja këto problematika sipas tij.
Më tej Meta shfaq optimizmin sa i takon planit të kandidatit të opozitës për kryetar bashkie të Tiranës, Belind Këlliçi për transformimin e transportit urban në kryeqytet.
Postimi:
“Trafiku rrugor i rënduar dhe zhurmat e shtuara që shkakton ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit.
Studimet më të fundit të publikuara në revistat prestigjoze amerikane provojnë që zhurma e trafikut shkakton tension të lartë të gjakut, sidomos kur ai shoqërohet edhe nga ajri i ndotur.
Tirana fatkeqësisht i ka të dyja, edhe zhurmat e trafikut, edhe ajrin e ndotur.
Ndaj plani i Kryetarit të ardhshëm të Bashkisë, Belind Këlliçi për transformimin rrënjësor të transportit urban është përgjigja më e fortë në mbrojtje të mjedisit, shëndetit dhe jetës së qytetarëve të Tiranës.
Këto do t’i bëjmë realitet pas 14 Majit!”