Presidenti izraelit, Isaac Herzog, i kërkoi qeverisë të dielën mbrëma që të frenojë reformën përçarëse gjyqësore, e cila ka shkaktuar muaj protestash në gjithë vendin.
Komentet e tij erdhën disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shkarkoi ministrin e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, i cili kishte folur kundër reformës së propozuar. Ky veprim i shtoi karburant demonstratave mbarëkombëtare, të cilat u ndoqën nga mbi 600,000 njerëz të shtunën, sipas raporteve të mediave lokale.
Gjatë protestave të fundit, demonstruesit bllokuan plotësisht autostradën Ayalon në Tel Aviv, ndërsa vunë zjarre dhe brohoritën ‘demokraci’. Policia përdori makina ujëhedhëse për të shpërndarë turmën.
Përleshjet shpërthyen gjithashtu në Jerusalem pasi aktivistët depërtuan përmes barrierave dhe u përplasën me policinë jashtë rezidencës private të Netanyahut.
Ndërsa protestat u shtuan, Herzog shkroi në Twitter, duke iu drejtuar Netanyahut dhe koalicionit qeverisës.
“Për hir të unitetit të popullit të Izraelit, për hir të përgjegjësisë, po ju bëj thirrje që të ndaloni menjëherë legjislacionin”, shkroi ai, duke shtuar se protestat po kërcënojnë sigurinë, ekonominë dhe shoqërinë e Izraelit.
Ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett u shpreh gjithashtu, duke deklaruar se kombi ‘është në rrezik më të madh se në çdo kohë që nga lufta e Yom Kipur’, duke iu referuar konfliktit arabo-izraelit të vitit 1973.
Të dielën, dhjetëra universitete izraelite njoftuan greva të përgjithshme për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes Gallant. Në një deklaratë të përbashkët, krerët e institucioneve thanë se studimet do pezullohen duke filluar nga mëngjesi i së hënës ‘në sfondin e vazhdimit të procesit legjislativ që minon themelet e demokracisë izraelite dhe rrezikon vazhdimësinë e saj’.
Të hënën, Pinchas Idan, kreu i sindikatës së punëtorëve në aeroportin ‘Ben Gurion’ në Tel Aviv, njoftoi një ndalim të fluturimeve, pasi Organizata e Përgjithshme e Punëtorëve të Izraelit bëri thirrje për një grevë në një përpjekje për të ‘ndaluar çmendurinë’ mbi reformën.
Shoqata Mjekësore e Izraelit njoftoi se do hynte në ‘një grevë të plotë në sistemin e kujdesit shëndetësor’ mbi reformën e propozuar derisa qeveria të shpallë ‘një kurs të qartë dhe serioz negociatash në rrugën drejt marrëveshjeve të gjera’.
Protestat masive janë zhvilluar në të gjithë Izraelin që nga janari, të shkaktuara nga planet e kabinetit të Netanyahut për të kufizuar fuqinë e Gjykatës së Lartë për të vendosur kundër degëve legjislative dhe ekzekutive të qeverisë, duke i dhënë koalicionit qeverisës një shumicë në komitetin që emëron gjyqtarët.
Në fillim të këtij muaji, koalicioni i Netanyahut hodhi poshtë reformën e propozuar, duke ulur numrin e përfaqësuesve të qeverisë në komitetin gjyqësor. Lëvizja erdhi pas një telefonate midis kryeministrit dhe presidentit të SHBA Joe Biden, i cili shprehu shqetësimin për riparimin e planifikuar gjyqësor, sipas një zyrtari të lartë amerikan.