Vendosni fjalën kyçe....

Bejko reagon ndaj akuzave të medias pranë Berishës: Ku u gjen Foltorja paratë për shpenzimet marramendëse?


Kandidati për Bashkinë e Tiranës i PD-së zyrtare Roland Bejko ka reaguar ndaj akuzave të një televizioni pranë Berishës se do garojë për kryeqytetin pasi ka qenë opinionist në emisionin e gazetarit Sokol Balla.

Bejko thotë se Berisha është shqetësuar për kandidimin e tij për Tiranën. Ai thekson se akuza e vetme që i gjetën është se ka qenë opinionist te Sokol Balla.

Bejko i përmend Berishës shpalljen non grata për korrupsion domethënës.

Në fund ai pyet se ku i gjen “Foltorja” paratë për shpenzimet marramendëse financiare dhe pagesat për njerëzit.

“Reagim publik! Shikoj se familja Berisha dhe pagatorët e tij janë shqetësuar nga kandidimi im për Tiranën. Kjo më jep kënaqësinë për vendimin e drejt që kam marrë për të kandiduar në emër të Partisë Demokratike që Berisha po kërkon ta zhdukë në skutat e Ilir Metës.

Akuza më e rëndë që kanë gjetur për mua deri tani është se kam një veprimtari publike si opinionist tek një televizion i pavarur në vend, deri ditën që mu besua kandidimi për Tiranën. Akuza është se gazetari që më ka ftuar quhet Sokol Balla.

Përfytyro kolegët e mi të nderuar të majtë a të djathtë në bindje e qëndrime, që dalin tek televizioni i familjes Berisha, se çfarë mund të akuzohen, duke u përdorur i njëjti kriter, nëse identifikohen me akuzat dhe krimet që kanë mbi shpinë pronarët e godinës dhe pronarët e atij televizioni.

Post Scriptum:

Në të gjitha daljet e mia publike prej gati dy vjetësh, në çdo televizion: Top Neës, ABC Neës, Raport Tv, Fax Neës, Euro neës, MCN, A2CNN, etj, në çdo intervistë, analizë a debat, qëndrimet e mia kanë qenë dhe janë qartësisht të qarta kundër ortakërisë së trekëndëshit të Bermudës; Rama, Berisha, Meta dhe satelitit Veliaj, pasi në bindjen time, Shqipëria do të ndryshojë rrënjësisht ditën që historia do ti flakë në koshin e vet këta oligarkë të politikës dhe ekonomisë shqiptare që ditën bëjnë sikur zihen, natën ndajnë paratë e tenderave publikë, inceneratorëve, lejeve të ndërtimit, pronave publike, etj, sepse të gjitha rrugët e parasë së tyre, po t’i ndjekësh, përfundojnë aty, tek katër a pesë përdoruesit mëdhenj të parave të tyre që ndërtojnë së bashku blloqet e gradaçelave e pallateve kudo në Tiranë e bregdet.

Unë jam kandidat për Bashkinë e qytetit ku jetoj, sepse nuk jam shpallur “non grata” i akuzuar për korrupsion të qenësishëm, as i akuzuar për mbështetje të trafikantëve dhe grupeve kriminale, as si pengues i demokracisë.

Unë jetoj me punën time.

Por ama, dy pyetje më mundojnë prej kohësh. Ku i gjen paratë Foltorja për shpenzimet financiare marramendëse që bën?! Në cilën bordero paguhen njerëzit e shumtë të të gjitha niveleve të angazhuar te Foltoria?!’- shkruan Bejko.