Vendosni fjalën kyçe....

Ceremonia për 7 ‘Yjet e Mirënjohjes Publike’, Rama: Këto ditë futet në axhendë miratimi për hapjen e basteve online


Ditën e sotme, u zhvillua në ambjentet e kryeministrisë ceremonina e ‘Mirënjohjes Publike’ për shtatë sportistët kampionë, që kanë ngritur flamurin kuqezi në Evropë dhe Botë. Briken Calja, Erkand Qerimaj, Zelimkhan Abakarov, Lara Colturi, Eklent Kaçi, Alban Beqiri dhe Genta Beqja janë emrat që kanë bërë të këndohet himni shqiptar në disiplina të ndryshme, duke merituar shpërblimin dhe mirënjohjen në ceremoninë.

Në këtë ceremoni ishte prezent dhe kryeministri Rama, i cili ju shprehu mirënjohjen kampionëve sportistë, që kanë ngritur lart emrin dhe flamurin tonë nëpër botë.

Dy nga shtatë yjet e sportit të vlerësuar janë të natyralizuar në nënshtetësinë shqiptare, me Abakarov që është shtetas rus dhe Colturi italiane. Kampionët e disiplinave të peshëngritjes, mundjes, skive, bilardos, boksit dhe bodybuilding, janë vlerësuar në cermoninë e veçantë. Të pranishëm në këtë event kanë qenë edhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Në fjalën e tij, kryeministri Rama ka thënë se për bastet online do ketë edhe një bord mbikëqyrës nga secila federatë sportive.

“Më lejoni t’i uroj mirëseardhjen kreut të Federatës Botërore të Peshëngritjes, mikut im Muhamed. Na lejoni të nderojmë kampionët tanë të rinj, që kanë ngritur flamurin kombëtar dhe kanë bërë të këndohet himni ynë kombëtar në arenën evropiane dhe botërore. ‘Yjet e mirënjohjes publike’ janë shprehje e admirimit, respektit dhe mirënjohjes për çka bëni për Shqipërinë dhe shoqërinë. Jemi të vendosur ta thellojmë mbështetjen për sportistët elitarë, ashtu si lëvizjen në shkolla. Janë dy binarë që çojnë sportin përpara, duke marrë në konsideratë nevojat e atyre që mund të dalin kampionë. Duam të shtojmë një mbështetje për periudhat stërvitore speciale, që së bashku me trajnerët të kenë kushte të denja.” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama gjithashtu bëri me dije se këto ditë në agjendën e qeverisë shqiptare do futet edhe miratimi i basteve online.

Tjetra është që së shpejti do kalojmë në miratim, këto ditë do fusim në agjendë miratimin e basteve online pas konsultës publike. Ne, siç tregon eksperienca nuk kemi mundur ta ndalim, njëjtë si vendet e tjera nuk e kanë bërë. Në vend që të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon paraja e zezë, të jetë një aktivitet ku do futen kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe të ketë garanci për lojtarët. Të gjitha të ardhurat, sipas ligjit do i kalojnë sportit dhe teknologjisë. Në ligj e kemi bërë të qartë që këto para, do jenë të fokusuara vetëm në këtë pjesë dhe nuk do ndryshohet destinacioni. Do kemi një bord kombëtar mbikëqyrës, kreu i KOKSH, ai i FSHF-së etj, do jenë aty për të bërë ndarjen e të ardhurave për sportin dhe kulturën. Fondi është i konsiderueshëm, kjo sipas parashikimeve. Lëvizja sportive nga poshtë, me të gjitha federatat do ketë rritje. Jemi fokusuar te basketbolli dhe volejbolli për meshkuj dhe femra“, tha Rama mes të tjerash.

Në fjalën e tij kreu i KOKSH, Fidel Ylli ka kërkuar më shumë mbështetje financiare, teksa i ka përmendur kreut të qeverisë hapjen e basteve online. 

Vitin tjetër kemi Olimpiadën e Parisit. Nëse vjen projektbuxheti i basteve, ne nuk do shtrijmë dorën vetëm te qeveria. Duhet të rrisim buxhetin e sportit elitar. Ashtu si ekipet sportive në shkolla ku kemi buxhet 5 milionë dollarë, na duhet ndihmë edhe në basketboll dhe volejboll. Po bëjmë disa trajnime për fëmijët në këto dy sporte. Të largojmë të rinjtë nga veset dhe të fokusohemi te palestrat. Falenderoj kryeministrin por kemi ende nevojë për ndihmë”, tha Fidel Ylli mes të tjerash.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi ka përmendur kuadrin ligjor të njëjtë si në BE, si edhe tre stadiumet e reja që do shërbejnë jo vetëm për futbollin në Vlorë, Korçë dhe Durrës.

Do t’i velerësojmë jo vetëm me shpërblime, por edhe me mirënjohje dhe respekt nga kombi. Nuk di nëse në një sallë ka pasur më shumë kampionë se sot bashkë. Mirënjohja jonë është shumë e thellë. Këtë fuqi e ka sporti, këtë fuqi ndonjëherë më shumë e ka sporti sesa politika. Të gjithë na keni ngritur në majat më të larta të Evropës. Mos harrojmë edhe Kosovën që gjithë ato sfida ka dy kampione në xhudo. Merita më e madhe është e sportistëve, e talentit dhe sakrificave të tyre. Kuadri ligjor, shpërblimet, vëmendja,klima dhe infrastruktura janë ato që na kanë dhënë medalje. Kemi vendosur baza të shëndosha, kuadri ligjor është ai i përafruar me atë në Bashkimin Evropian. Kemi shumë sfida përpara për infrastrukturën sportive. Shumë është bërë dhe shumë ka mbetur për t’u bërë. Ne mund të organizojmë evente të mëdha, që na promovojnë në turizëm. Kemi marrë vendimin për tre stadiumet e reja në Korçë, Vlorë dhe Durrës. Në do do jenë komplekse sportive, ku do ketë vend edhe për turizëm dhe biznes”, tha Kushi.

 

Shtatë sportistët e vlerësuar me ‘Yjet e Mirënjohjes Publike’:

 

Briken Calja – kampion bote në peshëngritje

Erkand Qerimaj – kampion në peshëngritje

Zelimkhan Abakarov – kampion në mundje

Lara Colturi – kampione në ski

Eklent Kaçi – bilardo

Alban Beqiri – vendi i tretë botëror në boks

Genta Beqja – bodybuilding