Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi, u shpreh në një intervistë në News 24, se një prej problemeve më të mëdha për qytetarët sot është kostoja e lartë e jetesës.
Lidhur me këtë, Këlliçi shtroi sërish idenë e programit të tij për transportin publik falas.
‘Transporti publik falas do të bëjë që një familje normale, të kursejë 86 mijë lekë të vjetra në muaj”, u shpreh Këlliçi.
Ai shtoi se po ashtu, platforma e tij parashikon uljen e taksave e tarifave, që do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat dhe cilësinë e jetës së banorëve.
Kandidati i Opozitës theksoi se Bashkia i ka të gjitha mundësitë për t’ju gjendur qytetarëve afër me këto masa, nëse ka vullnet.
“Të ardhurat do të shtohen me miradministrim dhe me luftë ndaj korrupsionit. Të dhënat tregojnë se pothuaj 40% e taksave e detyrimeve nuk mblidhen nga Bashkia në Tiranë, si pasojë e abuzimit dhe favorizimit të subjekteve përkundër përfitimit financiar për zyrtarët e Veliajt”, u shpreh Këlliçi.
Ai theksoi më tej se transporti falas do të ndihmojë edhe në lehtësimin e trafikut në Tiranë dhe në reduktimin e ndotjes.