Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëri-Itali, marrëveshje për përmirësimin e rrjetit energjetik në Shkodër, Lezhë dhe Fushë-Krujë


Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar ditën e sotme një marrëveshje hua për përmirësimin e rrjetit energjetik në vendin tonë.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Shqipëria do mund të marrë 35 milion euro hua nga Italia dhe këto para do të shkojnë për investime për përmirësimin e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike në zonat Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë.

Kjo marrëveshje vjen në kuadër të Konferencës së Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë“, që bëri bashkë, në 2020-ën, partner për të mbështetur Shqipërinë nga tërmeti i nëntorit 2019.

Kjo hua do të bëjë të mundur zhvillimin e një projekti, i cili konsiston në përmirësimin e sistemit të shpërndarjes, konkretisht në zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Fushë-Krujës, me fokus kryesor përmirësimin e nënstacioneve ekzistuese, sistemin Scada dhe rrjetin e tensionit të mesëm, duke i ofruar kështu mundësi agjencive shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, por edhe atyre private që të ofrojnë një shërbim cilësor në furnizimin e energjisë elektrike.