Vendosni fjalën kyçe....

Sofja dyshon se Moska ka gisht në kërcënimet me bomba nëpër shkolla, për të penguar procesin zgjedhor të dielën


Autoritetet bullgare thanë se po dyshojnë që Rusia mund të jetë prapa kërcënimeve me bomba që po bëhen nëpër qytetet bullgare, që sipas tyre kanë synim pengimin e zgjedhjeve, të cilat do të mbahen këtë të diel, raporton REL.

Dhjetëra shkolla u mbyllën më 28 mars në tri qytete – Sofje, Varna dhe Burgas – pas kërcënimeve me bomba.

Kjo është dita e dytë që shkollat marrin kërcënime të tilla përmes adresave elektronike dhe telefonatave. Shkollat ndërprenë mësimin dhe evakuuan nxënësit.

Ministria e Brendshme e Bullgarisë tha se dyshon se Rusia mund të qëndrojë pas një mashtrimi që synon të prishë procesin e votimit, meqë shumica e qendrave të votimit janë të vendosura nëpër shkolla.

Ministri i Brendshëm në detyrë i Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, tha se kërcënime të ngjashme janë dërguar më parë edhe në shkolla tjera evropiane.

Bullgaria, aktualisht, e ka Parlamentin e shpërbërë dhe më 2 prill do t’i zhvillojë zgjedhjet parlamentare, të cilat janë zgjedhjet e pesta të parakohshme në dy vjet.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut që nga tetori i vitit të kaluar po përballet me alarme për vendosje të bombave nëpër institucione të ndryshme, kryesisht në shkollat fillore dhe të mesme.

Në fillim të marsit, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se kërcënimet me bomba, përveç nga territori maqedonase, vijnë edhe nga jashtë vendit, përkatësisht nga Rusia dhe Irani.