Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon qeverinë për shpopullimin: Shqiptarët s’ndihen të sigurt, është larguar 35% e popullatës


Sali Berisha ka sulmuar qeverinë për shpopullimin duke thënë se Shqipëria ka arritur statistikën që nuk e ka pasur kurrë në histori.

Në konferencën ‘shpopullimi ose zhbërja’, Berisha tha se vetëm në 8 vitet e fundit janë larguar 35 përqind të shqiptarëve dhe një nga arsyet ai thotë se është pasiguria e plotë në vend.

Në 8 vite kemi humbur vetëm në hapësirën e Shengenit, 937 mijë shqiptarë, mbi 1 milion nëse llogarit edhe vendet e tjera, pra rreth 35 përqind të popullatës në Shqipëri.  Kurrë një komb nuk ka humbur kaq shumë në histori.

Nga viti 2014 gjer më sot, numri i shqiptarëve pakësohet në mënyrë të rrufeshme sepse janë krijuar kushtet e kalkulueshme për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Një nga kushtet më themelore është pasiguria e plotë në të cilën sot jetojnë shqiptarët në këtë vend. Vetëm në një vit, në vitin 2015 në mos gaboj, janë arrestuar 37 mijë shqiptarë.

80 përqind u arrestuan për çështje civile, që nuk mund të ndodhë përveçse në atë vend që nuk njeh ligjin, përveçse aty ku bëhet gjithçka për të dhunuar qytetarin, për t’i nxirë jetën, për t’i bërë të pamundur që të jetojë. Statistika e vitit 1946 tregon se u arrestuan 17 mijë shqiptarë, kaq u arrestuan”, tha Berisha.