Vendosni fjalën kyçe....

Hetimet për evazion fiskal 100 miliardë euro, bastisen pesë banka në Paris


Autoritetet franceze kryen të martën bastisje në Paris në atë që ata thonë se është një rast i mundshëm evazioni fiskal që mund t’u ketë kushtuar qeverive më shumë se 100 miliardë euro.

Një zëdhënës i Prokurorisë Financiare të Francës (PNF) tha se bastisjet, të cilat filluan në orën 9:30 të mëngjesit dhe ishin ende në vazhdim në mesditë, kishin në shënjestër katër banka franceze dhe një bankë ndërkombëtare, të dyshuara për pastrim parash dhe mashtrim fiskal, shkruan DW.

Zyrat e pesë bankave të mëdha u kontrolluan në mes një hetimi për pastrim parash të dyshuar dhe evazion fiskal në lidhje me pagesat e dividentëve, kanë raportuar disa media.

Bastisjet në fjalë u zhvilluan në zyrat e Societe Generale, BNP Paribas, Exane dhe Natixis, si dhe ato të gjigantit bankar britanik HSBC, sipas ‘Le Monde’, e cila ishte e para që dha lajmin.

Societe Generale konfirmoi kontrollin për Reuters, por nuk dha komente të mëtejshme. Katër bankat e tjera nuk i komentuan raportet.

Zyra e Prokurorisë Kombëtare Financiare të Francës (PNF) më vonë konfirmoi raportet e bastisjeve në një deklaratë, duke shtuar se hetimi ishte i lidhur me të ashtuquajturën strategji të dividentit ‘cum-cum’, një skemë ku një bankë transferon përkohësisht aksionet e një aksioni në një investitor të huaj përpara një pagimi të dividentit për të shmangur pagesën e tatimit mbi dividentin.

Dividentët ose nuk tatohen ose taksat i kthehen investitorit të huaj. Aksionet i kthehen më pas pronarit fillestar dhe të dy palët ndajnë shumën e kursyer, një shumë që do të ishte tatuar nëse letrat me vlerë do kishin mbetur te pronari fillestar.

PNF tha se hetimi në vazhdim, i cili u hap në vitin 2021, po kryhet nga 16 gjyqtarë hetues dhe mbi 150 agjentë. Sipas një raporti të Bloomberg, pesë bankat përballen me gjoba kolektive prej më shumë se 1 miliardë eurosh (1.1 miliardë dollarë) në lidhje me hetimin.

Kërkimet erdhën si një goditje tjetër në industrinë globale bankare, e cila ende po rrënqethet nga falimentimet e bankave në SHBA dhe nga blerja e ndërmjetësuar nga qeveria e Credit Suisse të Zvicrës nga rivali i saj UBS.