Gjergji Gjata, i cili u vendos nga Partia Demokratike si kandidat për Bashkinë e Korçës u tërhoq nga gara një ditë më parë, ndërsa ai ka bërë një tjetër reagim ku sqaron arsyet e tërheqjes.
Sipas tij, kreu i komanduar i PD-së Alibeaj bashkë me një ish-deputet kanë ndryshuar listën për këshilltarët bashkiakë në mesnatë, pak para se listat të depozitoheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas Gjatës, ndryshimi i listës për këshilltarë u bë nga Alibeaj pa informuar as anëtarësinë e partisë, as kandidatët për këshilltarë, apo atë vetë.
“PDSH në formë arbitrare, puniste, pa vendimmarrje kolegjiale, por me vendimin e dy personave (një ish deputet dhe kryetari Alibeaj), në mesnatë ndryshuan listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak dhe e dorëzuan atë të ndryshme nga lista e dërguar nga baza e demokratëve dhe kandidati i Korçës, pa informuar as kandidatin, as anëtarësinë e partisë dhe as kandidatët. Kjo ishte arsyeja e vetme e largimit. Kujdes! Mbrëmjen e djeshme krerëve të PDSH i është bërë me dije prej meje personalisht që nëse ndryshohet lista e kandidatëve, do të largohemi, si unë, ashtu edhe kandidatët e Këshillit Bashkiak.” – shkruan Gjata në reagimin e tij.