Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është përgjigjur pasi presidenti Joe Biden shprehu shqetësime për reformat e propozuara gjyqësore në Izrael, duke këmbëngulur se vendi i tij do merrte vendimet e tij dhe nuk do i nënshtrohej ‘presionit nga jashtë’.
Në një seri postimesh të shpërndara të martën mbrëma, Netanyahu vuri në dukje se ai e njeh homologun e tij amerikan prej ‘mbi 40 vitesh’ dhe lavdëroi Biden për ‘angazhimin e tij të gjatë ndaj Izraelit’. Megjithatë, ai i kërkoi Uashingtonit të mos përzihet në punët e brendshme të vendit të tij, pasi Biden tha se ishte ‘shumë i shqetësuar’ për ndryshimet e ardhshme ligjore.
“Administrata ime është e përkushtuar për forcimin e demokracisë duke rivendosur ekuilibrin e duhur midis tre degëve të qeverisë, të cilin ne po përpiqemi ta arrijmë përmes një konsensusi të gjerë”, tha Netanyahu, duke shtuar ‘Izraeli është një vend sovran që i merr vendimet e tij me vullnetin dhe njerëzit e tij dhe jo bazuar në presionet nga jashtë, duke përfshirë edhe miqtë më të mirë’, shkruan Al Jazeera.
Reforma e diskutueshme gjyqësore do i lejojë parlamentit të Izraelit të anulojë vendimet e Gjykatës së Lartë me shumicë të thjeshtë votash, një lëvizje që kritikët thonë se do dobësojë kontrollin tradicional të gjyqësorit mbi pushtetin e qeverisë.
Reforma ka nxitur protesta të mëdha në të gjithë Izraelin dhe ka tërhequr kritika nga disa shtete të huaja, duke përfshirë aleatët e ngushtë si SHBA-ja.
Të hënën, megjithatë, Netanyahu njoftoi se qeveria do marrë një ‘kohë të shkurtër’ për propozimin deri në seancën e ardhshme të Knesset, duke shpresuar se koha shtesë do t’i ndihmonte ligjvënësit ‘të arrijnë një mirëkuptim mbi legjislacionin’. Megjithatë, vendimi nuk arriti të ndalte kritikat ndaj reformës.
Duke folur me gazetarët më herët të martën, presidentit amerikan Biden iu kërkua të komentonte mbi ndryshimin ligjor, duke thënë se ai shpreson që Netanyahu ‘të largohet’ nga plani përpara se ai të kthehet në ligj, duke shtuar ‘Ata nuk mund të vazhdojnë në këtë rrugë’.
“Ashtu si shumë mbështetës të fortë të Izraelit, unë jam shumë i shqetësuar dhe jam i interesuar që ata ta kuptojnë këtë gjë”, vijoi ai.
“Shpresojmë se kryeministri do veprojë në një mënyrë që të mund të përpiqet të arrijë një kompromis të vërtetë. Por kjo mbetet për t’u parë.”
Presidenti vuri në dukje gjithashtu se Netanyahu nuk do ftohet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë ‘në një afat të afërt’, pavarësisht rizgjedhjes së tij të fundit si kryeministër.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë duket se po përshkallëzon kritikat e saj ndaj politikave izraelite, guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis po përgatitet për një udhëtim në Jerusalem muajin e ardhshëm, ku do mbajë një fjalim kryesor në një ngjarje të organizuar nga Jerusalem Post dhe Muzeu i Tolerancës.
Ndërsa DeSantis ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar për një ofertë presidenciale të vitit 2024, ai shihet gjerësisht si një kryesues në mesin e kandidatëve të mundshëm republikanë dhe është bërë popullor në mesin e konservatorëve për shkak të kundërshtimit të tij të zëshëm të urdhrave gjatë pandemisë.
Zyra e guvernatorit kapitalizoi grindjen midis Bidenit dhe Netanyahut përpara vizitës së tij, duke deklaruar se ‘Florida shërben si një urë lidhëse midis popullit amerikan dhe atij izraelit’ në një kohë të ‘marrëdhënieve të tensionuara në mënyrë të panevojshme’ midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.