Blog Autor: Namir Lapardhaja
Sulmet e fundit të “Foltores” dhe enturazhit të tyre mediatik ndaj kandidatit të Partisë Demokratike në Tiranë, Roland Bejkos, janë tregues i asaj se këta njerëz nuk e kanë betejën me Partinë Socialiste dhe Erjon Velinë, por me Partinë Demokratike dhe kandidatët e saj.
Ata nuk kanë synim pushtetin lokal, por sundimin e PD-së. Nuk duan fitoren e bashkisë, sepse e dinë që nuk mundet, por nënshtrimin e asaj pjese të partisë që ende nuk iu është bindur. Dhe këtë gjë synojnë ta arrijnë me çdo mënyrë dhe rrugë të pamoralshme, sepse janë të besimit se morali në politikë është tregues i dobësisë njerëzore.
Roland Bejkon e kam njohur për herë të parë në vitin 2005. Atëherë isha student në Universitetin e Tiranës. Ai sapo ishte emëruar Prefekt i Beratit. Njohja ka ardhur nëpërmjet piktorit beratas Kastriot Dervishi, poetit Yzedin Hima dhe shkrimtarit Balil Gjini. Të tre miq të përbashkët që na bashkonte dëshira për artin dhe për letërsinë. Rolandi, përveçse me politikë, frekuentohej me këta njerëz në qytet. Unë, si i ri, përkrahesha prej tyre.
Në këtë shkrim, do të sjell disa detaje, të cilat tregojnë për botëkuptimin dhe qartësinë e Bejkos si zyrtar model i administratës shtetërore dhe se si e njohin qytetarët e Beratit, të cilët edhe sot e kësaj dite ruajnë respekt dhe vlerësim të veçantë për të.
Në mbledhjen e parë me drejtuesit e institucioneve vendore në vitin 2005, mes të tjerave, Roland Bejko, ndonëse i deleguar i Kryeministrit të kohës dhe i emëruar politikisht në atë detyrë, u ngrit dhe tha: “Shqiptarët na kanë votuar për t’i drejtuar të gjithë dhe jo vetëm një pjesë të tyre. Nga sot, mos shihni kush është i PD-së kush është i PS-së. Zbatoni vetëm ligjin, ai është partia jonë.”
Natyrisht shumë prej pjesëmarrësve ngelën të çuditur se si mund të fliste kështu Prefekti i Qarkut, mirëpo ai e kishte të qartë se çfarë po thoshte dhe çfarë po u kërkonte, qartësi që buronte prej formimit të tij intelektual.
Pas dy vitesh, në një mbledhje me drejtues vendor, në prani të zëvendësministrit të pushtetit lokal të PD-së së kohës dhe të kryetarit të Bashkisë Berat, shefi i protokollit të Bashkisë prezantoi të ftuarit dhe e nisi nga Prefekti i Qarkut: “I nderuar zoti Prefekt i Qarkut Berat…. I nderuar zoti kryetar i Bashkisë…!”
Mbledhja zhvillohej në ambientet e Bashkisë Berat. Pas mbaroi prezantimin, Rolandi me humor, por edhe me një vetëdije administrative, i tha: “Zoti Kadri, edhe për sa kohë të jem unë Prefekt i Qarkut, nuk e ke keq me këtë renditje, por, pasi të iki unë, duhet të kesh parasysh se i zoti i shtëpisë në qytet është Fadili, kryetari i Bashkisë, nga ai duhet nisur renditja protokollare…”
Në fakt, po jepte një leksion se si duhej ndarë pushteti dhe se si duhej respektuar i pari i tij, pavarësisht se kush ishte kryetar Bashkie apo cila forcë politike e drejtonte. Për asnjë moment si Prefekt i Beratit nuk u mor me cic-mice të vogla, por gjithmonë duke qenë korrekt dhe rigoroz ndaj ligjit.
Të njëjtën gjë bëri kur bashkëpunoi fort dhe pa më të voglin hezitim me kryetarin e Bashkisë Berat që ishte nga PS-ja dhe drejues të tjerë institucionesh për të përgatitur dosjen voluminoze për aplikimin dhe, më pas, anëtarësimin e Beratit në UNESCO.
Roland Bejko është nga të rrallët zyrtarë të shtetit shqiptar që në kulmin pushtetit, kur kjo forcë politike kishte vetëm dy vite që drejtonte vendin, ka dhënë dorëheqjen nga Prefekti i Qarkut për të vijuar studimet pasuniversitare në një vend të huaj.
Ishte koha kur një pjesë e atyre që e sulmojnë sot, ishin të parimit të bëjmë ndonjë lekë apo të kapim ndonjë gjë sa kohë e kemi në dorë. Kur pa se me kë e zëvendësuan në Berat, Rolandi tha shprehjen e famshme lapidare, që mbahet mend prej të gjithë miqve të tij: “Kur e pashë se me kë më zëvendësoi, e kuptova se sa respekt të madh paska pasur për mua Sali Berisha.”
Është vitit 2007. Edhe Lulzim Bashës t’ia thoshe këto fjalë në atë kohë (dhe shumë më pas, në fakt), do bënte sikur nuk dëgjonte për të mos e futur veten në telashe.
Roland Bejko është sot në një garë të vështirë, por ai është model i zyrtarit korrekt dhe i drejtuesit të vetëdijshëm që, pavarësisht bindjeve politike, duhet pasur një vetëdije shtetërore. Ai nuk është njeri i kompromiseve dhe i kulisave, i skutave apo i pazareve nën tavolinë.
I ka qëndruar PD-së në kohë të vështira, si viti 1997, ka drejtuar institucione të rëndësishme shtetërore dhe e ka ndërtuar karrierën e tij politike me vetëdije të lartë dhe me integritet. Ai është përplasur me Berishën dhe Bashën për shkak të bindjeve dhe besimit të tij tek disa norma dhe parime, nuk ka heshtuar kur është dashur të flitet dhe nuk ka parë nga do vejë forca kur është dashur të reagojë. Si kanë bërë shumë bythecë që shkuan tek Berisha, për shkak të frikës dhe jo të besimit.
Të dy kandidatët që Roland Bejko ka përballë në bashkinë e Tiranës, ndonëse mund të kenë mbështetës të shumtë, për shkak të rrethanave dhe situatës, nuk kanë asgjë të përbashkët përsa i përket formimit, historisë apo karrierës politike me të.
Ata janë thjesht imitime të zbehtë të shefave të tyre, të ngjashëm llahtarisht me njëri-tjetrin, saqë nuk dallohet ku fillon njëri e ku mbaron tjetri, dhe në ato pozicione apo gara mbështeten dhe promovohen nga interesa të tjerë, që i tejkalojnë ata.
Në realitete paralele Veliaj dhe Këlliçi mund të ishin thjesht hiçkushër, sepse boshi intelektual i tyre është ulëritës, ndërsa Roland Bejko është figurë bio politike, që e ka ndërtuar vetë personalitetin dhe figurën e tij, në një kohë dhe periudhë që për të qenë vetvetja do duhej të paguaje kosto të mëdha.