Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në rrugë për të protestuar kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar.
Ditën e djeshme ata shkuan para Hipotekës duke kërkuar verifikimin e titujve të pronësisë.
Banorët kërkojnë prej muajsh shpronësim me vlerën e tregut, në të kundërt nuk do e lejojnë projektin.
“Kemi 6 muaj që protestojmë, shteti s’do t’ia dijë fare. I jemi ankuar dhe ambasadave, të gjithë bëjnë sehir. Jemi banorë të këtij fshati, jemi autoktonë. Mirë që e ktheu rrugën na e hodhi gjithë banorëve, por tani pse nuk vjen të na japë përgjigje, vlerësimin e pronave, të banesave, a ka rrugë dytësore?! Për kë punon ky shtet? Ky projekt rruge ka shkelje. Ervis Berberi, drejtori i ARRSH nuk e di ku është rruga. E ka fajin shteti, ministria e Infrastrukturës.” – tha njëri nga banorët.
Ndërsa një tjetër paralajmëroi me vetëgjyqësi nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje deri të martën e ardhshme.
“Do fillojmë me vetëgjyqësinë. Prona është e shenjtë. Nëse deri të martën nuk kemi zgjidhje do bëjmë vetëgjyqësi. Do detyrojmë punonjësit e Hipotekës të vihen në lëvizje me forcën tonë. Do t’i bllokojmë hipotekën zonjës Bici. Në rast se dje ishte tubim paqësor për t’i sensibilizuar këta pushtetarë, sot i kërkoj urgjentisht të marrë masa dhe të vërë në lëvizje stafin. Nuk na zë gjumi i natës për këtë problematikë, ata flenë gjumë. Boll më.” – deklaruan banorët.