Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Parlamenti përjashtoi nismën tonë për lustracionin, duan të përdorin amendamentin që mbështeti Alibasha


Sali Berisha ka mbledhur deputetët e Rithemelimit në selinë blu ku theksoi se parlamenti ka përjashtuar nismat për sa i përket ligjit për lustracionin.

Ai tha se ligji në fjalë është i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë shqiptare nga ish-persekutorët e diktaturës komuniste. Berisha shtoi se ligji ka bazë të plotë kushtetuese.

“Përsëri parlamenti përjashton nismat tona me një qëndrim politik të dënueshëm antikushtetues. Në parlament nuk sillet ligji i lustracionit, një ligj i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës komuniste. Ligji, tani ka bazë të plotë kushtetuese sepse në Kushtetutën e vendit është i sanksionuar për gjykatësit e prokurorët pavarësisht se është shkelur dhe nuk është zbatuar. Megjithatë baza ekziston, ideja e zëvendësimit të këtij neni me një ndërhyrje në Kodin Zgjedhor është hakmarrëse, e cila nuk bazohet në parimet e lustracionit.  Do të insistojmë për sjelljen e këtij ligji që ka standardet më të mira dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë tjetër meqë është i sanksionuar në Kushtetutë si proces. Mossjellja e ligjit ka veç një synim, përdorimin e amendamentit të Ballës të cilën e mbështeti edhe Alibasha për gjah shtrigash. Ligji ka rregullat e veta dhe transparencën e plotë.” – tha Berisha.

Ai shtoi se kryeministri Rama do përgjigjet para drejtësisë lidhur me përpjekjen e tij për të asgjësuar opozitën përmes ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.

“Rama e ka vendin aty ku është McGonigal sot. Nuk do shpëtojë nga drejtësia, do këmbëngulim në ngritjen e këtyre komisioneve.” – shtoi ai.