Vendosni fjalën kyçe....

Biznesmenët e inceneratorëve lëshuan prokura ndërsa ishin në kërkim ndërkombëtar


Seanca e parë për çështjen në ngarkim të të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Elbasanit dështoi të zhvillohej të enjten më 30 mars 2023, pasi nuk ishte arritur të gjendej dhe të njoftohej e pandehura Jonida Zeqo, e cila gjendet nën masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”.

Relatorja e çështjes, gjyqtarja Elsa Ulliri la si detyrë që për në seancën tjetër të shoqërohen të pandehurit që gjenden në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Gjykata la detyrë të njoftohej edhe avokati i të pandehurës Etleva Kondi, për të cilin kjo e fundit shpjegoi në seancë se e kishte zgjedhur së fundmi, por ai gjendej jashtë vendit të enjten.

Po ashtu, Ulliri kërkoi që t’i kërkohet informacion zyrës së Interpol Tiranës nëse janë ekzekutuar urdhërat e kërkimit ndërkombëtar për të pandehurit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja e Klodian Zoto, tre biznesmenët e akuzuar se kanë korruptuar zyrtarët e nivelit të lartë dhe kanë pastruar para. Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 7 prill në orën 14:30 dhe seancat vijuese duke filluar nga data 20 prill, çdo të enjte në orën 09:00.

Në seancën e të enjtes, mes të pandehurve dhe avokatëve të pranishëm gjendeshin edhe përfaqësuesit ligjorë të të shpallurve në kërkim ndërkombëtar, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto. Mërtiri dhe Zoto figurojnë në arrati ndërsa Gugallja prej rreth dy muajve është në proces ekstradimi nga një gjykatë austriake në Vienë të Austrisë.

Nga sa u bë me dije prej gjyqtares Ulliri në fillim të seancës, tre biznesmenët e pandehur, kanë lëshuar prokurora të posaçme për përfaqësuesit e tyre ligjorë në nëntor të vitit 2022, kohë kur kanë qenë të shpallur në kërkim. Zoto dhe Gugallja u shpallën në kërkim prej dhjetorit 2021 dhe Mërtiri më vonë, megjithatë ata kanë mundur që të paraqiten para noterëve dhe të lëshojnë prokurë të posaçme për t’u mbrojtur në procesin e gjykimit të ngritur prej tyre nga SPAK.

SPAK dërgoi për gjykim në dhjetor të vitit 2022 çështjen për inceneratorin e Elbasanit, duke vendosur nën akuzë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, të dy të arrestuar. Ata nuk u paraqitën në seancën e parë të gjykimit të enjten, duke njoftuar gjykatën se do të mbroheshin nga avokatët e tyre, të cilët ishin të pranishëm.

Sipas akuzës, zyrtarët e qeverisë dhanë një koncesion me prokurim pa shpallje duke përdorur një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin e prokurimeve publike. Zyrtarët që morën pjesë në procedura, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa, janë nën akuzën e abuzimit të detyrës ndërsa ish-ministri Koka është nën akuzë të trefishtë për abuzim me detyrën, korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Bllako akuzohet për shpërdorim detyre në aferën e inceneratorit të Elbasanit, ndërkohë që ai është marrë i pandehur edhe për falsifikim të të dhënave për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit, duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall”. Ish-deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” të inceneratorit të Tiranës.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka dhënë tre kontrata koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, te një grup kompanish të lidhura me njëra-tjetrën, nën pronësinë e personave pa eksperiencë të mëparshme në këtë fushë.

Prokuroria thotë se dy kompanitë e inceneratorit të Elbasanit kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera, skema përmes të cilës dyshohet se Lefter Koka ka përfituar paratë e korrupsionit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reporter.al