Vendosni fjalën kyçe....

Meloni ‘i shpall luftë’ ushqimit të rritur në laborator e mishit sintetik


Qeveria e Italisë miratoi një projektligj që ndalon përdorimin e ushqimit të prodhuar në laborator, pasi synon të mbrojë trashëgiminë agro-ushqimore të vendit, tha ministri i saj i bujqësisë në një konferencë shtypi pas një takimi të kabinetit.

Nëse propozimi miratohet nga parlamenti, industria italiane nuk do lejohet të prodhojë ushqim ‘nga kulturat e qelizave ose indet që rrjedhin nga kafshët vertebrore’, thuhet në projektligjin e parë nga Reuters.

Një shkelje e rregullave mund të çojë në gjoba deri në 60,000 euro.

“Prodhimet laboratorike për mendimin tonë nuk garantojnë cilësi, mirëqenie dhe mbrojtjen e kulturës sonë, traditës sonë”, tha ministri Francesco Lollobrigida, një anëtar i lartë i partisë së djathtë ‘Fratelli D’Italia’ të kryeministres Giorgia Meloni.

Administrata e Melonit është zotuar të mbrojë ushqimin e Italisë nga risitë teknologjike që shihen si të dëmshme dhe e quajti Ministrinë e Bujqësisë “Ministria për Bujqësinë dhe Sovranitetin Ushqimor”.

Lobi i bujqësisë Coldiretti vlerësoi masën kundër ‘ushqimit sintetik’, duke thënë se nevojitet një ndalim për të mbrojtur prodhimin në shtëpi ‘nga sulmet e kompanive shumëkombëshe’.