Vendosni fjalën kyçe....

DeSantis: Florida s’do ndihmojë në ekstradimin e Trump, prokurori i mbështetur nga Soros ka axhendë politike


Guvernatori i Floridës. Ron DeSantis tha të enjten se aktakuza në Manhattan ndaj Donald Trump ishte ‘jo-amerikane’ dhe se shteti i tij nuk do ndihmonte që ish-presidenti t’u dorëzohej zyrtarëve të Nju Jorkut.

Republikani konservator, i cili pritet të sfidojë Trumpin për nominimin presidencial të republikanëve në vitin 2024, tha se Prokurori i Qarkut Alvin Bragg po e përdor zyrën e tij si mjet duke ngritur akuza, pasi shtyu një juri të madhe për të shqyrtuar pagesat e parave të heshtura për pornostaren  Stormy Daniels.

“Përdorimi si armë i sistemit juridik për të çuar përpara një axhendë politike e kthen sundimin e ligjit kokëposhtë. Është jo-amerikane”, tha DeSantis në Twitter.

“Prokurori i Qarkut në Manhattan, i mbështetur nga Soros, ka përdorur vazhdimisht ligjin për të ulur vlerësimin e krimeve dhe për të justifikuar veprat kriminale. Megjithatë, tani ai po e zgjeron ligjin për të synuar një kundërshtar politik. Florida nuk do të ndihmojë në një kërkesë ekstradimi duke pasur parasysh rrethanat e dyshimta në diskutim me këtë prokuror të Manhattanit të mbështetur nga Soros dhe axhendën e tij politike.”

Prokurori Alvin Bragg

Pavarësisht ofertës së tij, DeSantis ka të ngjarë të ketë pak fuqi për të parandaluar zyrtarët e Nju Jorkut që të thërrasin Trumpin në qytet.

Akti i ekstradimit të SHBA-së kërkon që ‘guvernatori i çdo shteti të dorëzojë të arratisurit nga drejtësia që gjenden në shtetin e tyre, me kërkesë të ligjshme nga një shtet tjetër’.

Mbi një javë më parë, DeSantis e sulmoi Trumpin përpara se të thoshte se ai nuk do përfshihej në gjyqin e afërt, pavarësisht se nuk ishte dakord me veprimet e Bragg, i cili mbështetej nga financieri miliarder liberal, George Soros.

“Unë nuk e di se çfarë është me pagimin e parave të heshtura për një yll porno për të siguruar heshtje mbi një lloj afere të supozuar. Unë thjesht, nuk mund të flas për këtë,” tha DeSantis.

“Por ajo për të cilën mund të flas është se nëse keni një prokuror që po injoron krimet që ndodhin çdo ditë në juridiksionin e tij dhe ai zgjedh të kthehet shumë vite më parë për të provuar të përdorë diçka në lidhje me pagesat e parave ndaj yjeve pornografike, ky është një shembull i ndjekjes së një axhende politike dhe përdorimit të zyrës si armë.”

Aktakuza e vulosur u hap të enjten në mbrëmje pas disa javësh pritje se Trump do akuzohej për pagesën e Daniels për të mbajtur të fshehtë përpjekjen e supozuar gjatë kandidimit të tij për president në vitin 2016.

Trump, i cili është bërë zyrtarisht ish-presidenti i parë amerikan që përballet me ndjekje penale, është betuar se është i pafajshëm.

“Ky është Persekutim Politik dhe Ndërhyrje Zgjedhore në nivelin më të lartë në histori”, tha Trump në një deklaratë.

 “Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe vjedhur në obsesionin e tyre për të ‘rrëzuar Trumpin’, por tani ata kanë bërë të pamendueshmen, duke paditur një person krejtësisht të pafajshëm në një akt të ndërhyrjes së hapur në zgjedhje”, shtoi ai.

76-vjeçari republikan pritet t’i dorëzohet organeve të rendit javën e ardhshme, thanë avokatët e tij për NY Post.