Kreu i SPAK-ut Altin Dumani ka deklaruar sot se institucioni i drejtuar prej tij po e heton çështjen e zhdukjes së Ervis Martinajt.
Gjatë një takimi informal me gazetarët, ai theksoi se ish-efektivi i policisë Jeton Lami nuk ka dhënë asnjë dëshmi për hetimin duke heshtur.
Dumani tha gjithashtu se u ka kërkuar prokurorëve që të përshpejtojnë hetimet e çështjeve të mbartura siç janë ato të koncesioneve të sterilizimit dhe check-up.
“Në kuadër të hetimit, ne kemi informacionet tona. Jeton Lami ka preferuar të heshtë dhe të mos japë deklarime. E para ngjarjen e ‘Don Boskos’, nuk e ka në hetim Prokuroria e Posaçme. Unë jam prokuror dhe nuk mund të them se me episodin e ‘Don Boskos’, ‘u ngjall apo jo Ervis Martinaj’. Nga ana jonë janë ndërmarrë veprime hetimore, kemi sekuestruar pasuritë dhe kemi pistat tona edhe sa i përket hetimit të kësaj çështjeje. Janë dërguar aktet në gjykatë dhe dosja hetimore nga ana jonë. Më shqetësojnë shumë çështjet e mbartura, kam qenë kërkues me prokurorët që çështja të përshpejtohet, kaq mund të bëj, të kërkoj llogari pse nuk po ecën çështja. Këtë e kam bërë, është në përgjegjësinë e prokurorit, po bëhen veprime.” – tha Dumani.