Partia e Lirisë ka prezantuar sot programin për shëndetësinë. Në tryezën e thirrur prej saj, kreu
Meta akuzoi kryeministrin ama se ka mashtruar pacipërisht me shëndetësinë duke theksuar se Tirana ka sot të njëjtin numër qendrash shëndetësore me atë të para viteve 1990.
“Sot shqiptarët e kanë shumë të qartë që kanë një kryeministër që ka mashtruar në mënyrë të pacipë me Shëndetësinë, duke ulëritur për shëndetësinë falas, ndërkohë që pandemia i përballi shqiptarët me pagesa marramëndëse që i futën në borxhe shumë të vështira për ta. Ndaj sot është koha më shumë se kurrë më parë, për të marrë në duar dhe për të transformuar në rradhë të parë, në atë që është zemra e sistemit, mjekët dhe infermierët, me pagesa më të mira, dhe së dyti, duke financuar në mënyrë dinjitoze sistemin shëndetësor që ai të ketë infrastrukturë dhe të gjithë teknologjinë për të trajtuar në mënyrë profesionale shëndetin e popullit shqiptar. Është e pabesueshme dhe e papranueshme, por Tirana, sot megjithëse me një popullsi 7 herë më të madhe, ka thuajse të njëjtin numër Qendrash Shëndetësore dhe Poliklinikash si para viteve 90, kur kryeqyteti nuk kishte më shumë se 165 mijë banorë. Ndërkohë që jepen qindra mijëra metra katrorë për kulla pafund, nxirren njerëzit me dhunë nga shtëpitë, që në banesat e tyre të ndërtohen sërish kulla, nuk ndërtohen Qendra Shëndetësore të Reja, ndërkohë që ka njësi Administrative të Tiranës që kanë 10-fishuar popullsinë e tyre.” – tha Meta.
Kreu i PL-së shtoi se pensionistët do marrin falas të gjitha mjekimet e rekomanduara nga mjekët me receta.
Meta theksoi se qeveria e re do rrisë me 50% pagat për mjekët e infermierëve me synimin e dyfishimit të pagave në shëndetësi.
“Disa ditë më parë kam marrë angazhimin publik, që me ardhjen në pushtet, të gjithë pensionistët e Shqipërisë nuk do të paguajnë asnjë lek, për barnat, që u duhen atyre për shëndetin dhe që mjekët ua rekomandojnë nëpërmjet recetës. Në shumë takime jam impresionuar nga vlerësimi shumë pozitiv i këtij angazhimi tonë si Parti e Lirisë, jo vetëm nga pensionistët e nderuar, por aq më shumë nga të rinjtë, apo qytetarë në moshë aktive, të cilët janë të preokupuar për shëndetin e prindërve dhe gjyshërve të tyre më shumë së për çdo gjë tjetër. Ne angazhohemi për rritje 50% e menjëhershme e pagës së mjekëve, specialistëve dhe infermierëve me synimin afatgjate te dyfishimit te pagave ne shendetesi. Ndaj, eliminimi i plotë i kontrabandës dhe furnizimi me barna 100% të sigurta të certifikuara nga institucionet Europiane të Barnave, është një sfidë pa kthim që ne do e fitojmë patjetër.” – shtoi Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë tha gjithashtu se buxheti për shëndetësinë do përbëjë të paktën 5%të prodhimit të brendshëm.
“Financimi i sistemit është pasqyra se si e shikon një qeveri shëndetësinë. Rritja e buxhetit të shëndetësisë në të paktën 5% të GDP, që do të arrinte nivelin mesatar të vendeve të Ballkanit, është detyrim përpara qytetarëve tanë. Mundësitë për ta arritur një objektiv të tillë janë aty dhe largimi i kësaj qeverie e bën të realizueshëm këtë objektiv kaq të madh. Ky financim deri ne 5% te GDP i jep realisht frymëmarrje sistemit shëndetësor, frenon ikjen e mjekëve dhe infermierëve, rrit cilësinë dhe u jep shqiptarëve sistemin shëndetësor, që ata meritojnë dhe për të cilin kontribuojnë aq shumë me taksat, me djersën dhe me mundin e tyre.” – theksoi Meta.