Vendosni fjalën kyçe....

TikTok është ‘kali i Trojës’ i Kinës – Agjencia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së


Kreu i njësisë së sigurisë kibernetike të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA) e përshkroi TikTok si ‘kalin e Trojës’ të Kinës, duke pretenduar se aplikacioni i ndarjes së videove po përdoret nga Pekini për të mbledhur të dhënat e amerikanëve.

Rob Joyce i ka kërkuar Uashingtonit që të fillojë mbikëqyrjen e gjigantit të teknologjisë kineze ByteDance, i cili zotëron TikTok, në një përpjekje për të shmangur incidentet e ardhshme të sigurisë.

“Pse doni  ta fusni kalin e Trojës brenda në kala? Pse doni sillnt atë aftësi në SHBA kur kinezët mund të manipulojnë të dhënat që ne shohim për të përfshirë ose gjërat që ata duan t’i paraqesin popullatës sonë, materiale përçarëse?” – pyeti Joyce  audiencën në një konferencë në Kaliforni.

Shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Chew u përball me ligjvënësit amerikanë gjatë një seance dëgjimore të Komitetit të Kongresit amerikan javën e kaluar mes thirrjeve në rritje për të ndaluar aplikacionin popullor.

Ligjvënësit dhe ekspertët e sigurisë kibernetike kanë shprehur prej muajsh shqetësim lidhur me qasjen e ByteDance në informacionin personal të 150 milionë përdoruesve mujorë të TikTok në SHBA.

Në nëntor, drejtori i FBI-së, Chris Wray, paralajmëroi se qeveria kineze mund të përdorë aplikacionin për të mbledhur të dhënat e përdoruesve amerikanë për spiunazh dhe madje të marrë kontrollin e softuerit të pajisjeve të tyre celulare. Pas komenteve të tij, qeveria federale e SHBA-së dhe 25 administrata shtetërore ndaluan TikTok-un në pajisjet e përdorura për punë.

Si TikTok ashtu edhe Pekini i kanë mohuar vazhdimisht akuzat. Në seancën dëgjimore, Chew pretendoi se TikTok nuk përbënte kërcënim më të madh se platformat rivale të mediave sociale, duke përfshirë YouTube dhe Instagram, dhe theksoi se kompania e tij kishte siguruar informacionin e përdoruesve më shumë se firmat me bazë në SHBA për shkak të mungesës së besimit nga autoritetet amerikane.

Pas seancës dëgjimore, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning përsëriti se Kina ‘e merr shumë seriozisht privatësinë dhe sigurinë e të dhënave’ dhe ‘asnjëherë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë kurrë nga ndonjë kompani apo individ që të mbledhë ose të ofrojë të dhëna, informacione ose inteligjencë të vendosura jashtë vendit kundër ligjeve vendase’.