Sali Berisha ka qenë sot në Dibër për një takim me demokratët e qyterarët dibranë.
Gjatë fjalës së tij ai akuzoi kryeministrin Rama për përzënien e shqiptarëve dhe se regjimi i tij është përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
Ai tha gjithashtu se projekti për hidrocentralin e Skavicës do jetë varri i Dibrës pasi do fundosë 27 fshatra duke e quajtur atë një vepër korrupsioni.
“Sikur Shqipëria të kishte zë a nuk do oshëtinte nga të katërtat anët e saj se; pse po braktisni vendin? Pse po largoheni?! A duhet t’ja shtrojmë këtë pyetje vetes? Si mund të pranojmë këtë situatë të tillë? Rama po sillet me çdo shqiptar më keq se çdo pushtues tjetër. Po përzë shqiptarët sa asnjë pushtues tjetër. A mundet ne që të rrimë soditës? Të vazhdojmë përgjumur apo të shesim votën me 300-400 euro? A mund të mashtrohemi nga njerëz që nuk kanë moral? Dibrën e bënë në një vend të mallkuar për dibranët? Po cilat janë përgjegjësitë tona për këtë vend. Koha thërret, koha thërret çdo shqiptar.
T’i dëshmojnë një grimcë dashurie Dibrës, se meriton shumë më tepër. Shqipëria dhe Dibra kanë çdo potencial. S’kanë faj ndaj nesh. Fajin e ka regjimi i Edi Ramës. Faj kemi dhe ne që s’e ndëshkojmë me votën tonë. Mos të bëhemi bashkëfajtorë në këtë dramë ndërkombëtare. Në Dibër janë vërsulur të gjithë. Skavica është varri i Dibrës. A do bëhemi ne soditës të këtij akti? Të fundosësh 27 fshatra, të largosh banorët. E gjithë vepër korrupsioni, vepër hajnie. I bëj thirrje kompanisë Bechtel që të heqë dorë, se është kontratë pa garë. Projekti Skavica është pa garë. Dibra nuk mund të varroset. Tani po shet aksionet, i bëj thirrje qeverisë britanikë të mos lejojë kompanitë britanike të blejnë aksione. Sepse Dibra nuk mund të varroset. Dibra do ecë në shekuj dhe mijëvjeçarë e lire.” – tha Berisha.