Vendosni fjalën kyçe....

Kandidatja e PD-së për Vaun e Dejës i përgjigjet Berishës: S’bashkëpunoj me non gratat, asnjë presion s’më kthen pas


Kandidatja e PD-së  për bashkinë e Vaut të Dejës në zgjedhjet e 14 majit i është përgjigjur Sali Berishës, i cili e quajti dje ‘kandidate e Tom Doshit’ e ‘patericë e regjimit të Ramës’.

Klomentina Drini e thërret Berishën ‘non grata’ që në fillim të  reagimit të saj në Facebook ndërsa shkruan më tej se nuk bashkëpunon me persona non grata.

Drini shton më tej se ka qenë historikisht me PD-në dhe se ajo nuk është parti që çon ujë në mullirin e Ilir Metës. Në fund ajo nënvizon se pjesëmarrja e saj në zgjedhjet e 14 majit është vendosur dhe s’ka presion që e kthen pas.

“Zoti NONGRATA! Pavarësisht furisë së pritshme të sulmeve të paimagjinueshme ndaj meje, po të sqaroj: Unë jam Klomentina DRINI! Jam PRO AMERIKANE! Jam PRO EUROPIANE! Jam PRO MBRETËRISË! Nuk bashkëpunoj me persona NONGRATA! Koha dhe veprat e kanë vërtetu qëndrimin tim! Unë jam historikisht me Partinë Demokratike!

Partia Demokratike, nuk është një parti Kryetari që qon ujë në mulli të Ilir Metës, por një PD vlerash, e hapur për të gjithë ata që ndajnë të njëjtat ide dhe parime të djathta, me orientim qartësisht të fortë pro amerikan, pro perëndimor, me një program modern, vizion e thjeshtësi duke përfshirë në rradhët e veta gjithkënd që ndan të njëjtat interesa dhe filozofi politike.

Theksoj se pjesëmarrja ime në garë elektorale është e vendosur dhe s’ka bashkëpunim apo presion që më kthen pas! Do të përfaqësoj me dinjitet vlerat e Partisë Demokratike dhe të gjithë Demokratëve në Bashkinë Vau Dejës. Demokratët e kanë vendin në Shtëpinë e tyre, në Partinë Demokratike.” – shkruan Drini.

Çfarë deklaronte Berisha dje.

“Dua t’i them dy fjalë, kandidates dhe kandidatit tjetër. Të dy jeni kandidatë të Tom Doshit. Ua thashë dhe herën e parë. PS-ja ia ka dhënë me koncesion Tomës, kandidatin. Është e pafalshme në një moment historik për vendin, në një moment kritik për demokracinë shqiptare që një demokrat të çojë ujë në mullirin e Edi Ramës, që të bëhet një patericë e atij regjimi që po shkreton Shqipërinë çdo ditë. Ndaj dhe ftoj përsëri çdo demokrat, në Vaun e Dejës dhe kudo, të mendojnë, prap ka kohë të mendojnë dhe votat e tyre t’i bashkojnë.”