Vendosni fjalën kyçe....

KLP synon rikthimin e prokurorit të shkarkuar, shqetësohet ONM


Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), struktura e cila mbikëqyr procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, shprehu të shtunën shqetësimin ndaj një projekt-vendimi të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), i cili synon rikthimin në detyrë si prokuror të zotit Besnik Cani.

Në vitin 2020, zoti Cani, i cili ishte dhe anëtar i KLP-së, u la jashtë sistemit të Drejtësisë, pas një vendimi të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Kolegji shpjegoi se kishte gjetur problem në deklarimin e tij të pasurisë, papërshtatshmëri profesionale dhe se kishte cënuar besimin të Drejtësia.

Zoti Cani ankimoi çështjen e tij në Gjykatën e të drejtave europiane të njeriut (GJEND) në Strasburg. Në tetor të viti të shkuar Gjykata tha se kishte gjetur shkelje në procesin ndaj zoti Cani, duke vlerësuar se ish prokurorit i ishte cënuar “e drejta për një gjykatë të krijuar me ligj”, duke iu referuar faktit që pjesë e trupës gjykuese kishte qenë anëtari i Kolegjit Luan Daci, i shkarkuar pasi të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar e gjetën atë fajtor për “falsifikim të dokumentave”. Gjykata e Strasburgut megjithatë rrëzoi kërkesën e tij për rikthimin e menjëhershëm në detyrë, apo njohjen e dëmshpërblimit financiar duke konsideruar se forma më e përshtatshme e dëmshpërblimit për ish prokurorin Cani, do të ishte rihapja e procesit dhe rishqyrtimi i çështjes.

Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelit, është ende në fuqi, por KLP-ja duket se nuk e ka marrë në konsideratë një fakt të tillë, ndonëse Kolegji është një organ që për nga kompetencat në rastin e njerëzve të Drejtësisë, është i barabartë me Gjykatën Kushtetuese.

Duke vënë në dukje faktin se vendimi ndaj zotit Cani është ende në fuqi, ONM-ja shprehet se rikthimi në detyrë i zotit Cani nga ana e KLP-së “do të përcillte pasiguri ligjore dhe do të binte në kundërshtim me vendimin përfundimtar të KPA-së”.

Po ashtu duke ju referuar vendimit të Gjykatës së Strasburugut, ONM-ja “vëren se GJEDNJ-ja konstatoi se forma më e përshtatshme e trajtimit në lidhje me shkeljen e të drejtës së kërkuesit do të ishte rihapja e procedimeve gjyqësore, në rast se kërkuesi e kërkon këtë rihapje” duke sjellë në vëmendje se “GJEDNJ-ja e refuzoi shprehimisht kërkesën e zotit Cani për rikthimin e tij të menjëhershëm në postin e mëparshëm, marrë parasysh edhe natyrën e shkeljes që u gjet në lidhje me procedurën e vetingut të kërkuesit”. Për këtë arsye ONM-ja thekson “se të gjitha vendimet përfundimtare të vetingut mbeten në fuqi deri sa çështja të rihapet dhe të shqyrtohet nga gjykata kompetente me kërkesë të palës së interesuar”.

Po ashtu, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nënvizon se “është tejet e rëndësishme të sigurohet që të gjitha institucionet shtetërore dhe autoritetet gjyqësore të respektojnë pavarësinë dhe juridiksionin eksluziv të organeve të vetingut, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, dhe të mos ndërmarrin veprime që bien drejtpërdrejt ndesh me vendimet përfundimtare të vetingut”.

Qëndrimi i ONM-së u publikua në faqen zyrtare të Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë. Atij i bëri jehonë përmes një Twitter-i dhe ambasada amerikane.

Instituti për studime publike dhe ligjore ( ISPL), i fokusuar në çështjen që lidhen me Drejtësinë ngriti po ashtu shqetësimin për “injorimin e një vendimi të zbardhur të GJEDNJ-së” dhe atë që e cilëson “një standart kaq të ulët nga organi më i lartë i emërimeve në prokurori në vend”. Në një postim në Twitter, Instituti ngriti pyetjen nëse bëhej fjalë për një “keqlexim të vendimit të GJEDNJ-së apo vlerësim nepotik për një ish anëtar” të KLP-së.

Projekt-vendimi për zotin Cani, ishte në rendin e ditës së KLP-së dy ditë më parë, por ky organ vendosi në momentin e fundit që të shtynte vendimmarrjen, për të marrë në shqyrtim dhe një relacion të Avokatit të Shtetit

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Zërit të Amerikës