Vendosni fjalën kyçe....

Rama firmos vendimin, pensionistët do marrin 5 mijë lekshin në prill


Kryeministri Edi Rama ka firmosur vendimin për shpërndarjen e bonusit prej 5 mijë lekësh për personat që marrin pension pleqërie, social invaliditeti dhe personat me statusin e ushtarakut apo minatorit.

Rama e cilëson vendimin e firmosur prej tij si premtim të mbajtur të bërë që vjeshtën e kaluar.

Kur thosha qysh vjet në vjeshtë se do të vendosim taksë të jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë dhe do t’ua shpërndajmë pensionistëve në prill, ata që ju e dini kush janë bërtisnin, ky është tatimi i jashtëzakonshëm komunist.

E bëri BE-ja, e tha edhe këtu Ursula Von Der Leyen që po, kjo është diçka krejt e drejtë në këtë kohë krize dhe ata e mbyllën përkohësisht gojën.

Pastaj e hapën para ca kohësh prapë, duke u qarë hallin pensionistëve se i mashtroi Edi Rama dhe se s’do merrnin asgjë, po kur e dëgjuan që kjo do të ndodhte siç ishte premtuar, u hodhën përpjetë se po shkelej Kodi Zgjedhor! Krejt e pavërtetë edhe kjo e kodit, si zakonisht kur ata hapin gojën xhanëm.

Por ja ku prilli erdhi dhe taksa e jashtëzakonshme mbi fitimet e rëna nga qielli i luftës në arkën e eksportuesve të mëdhenj të energjisë, do të fillojë t‘u shpërndahet pensionistëve, si pjesa më e prekur nga pesha e luftës, po edhe më dinjitozja në qëndresën e saj përballë vështirësive të kohërave.

Kjo është një tjetër masë lehtësuese për ta pas Pakos së Madhe, po nuk është e fundit, sepse ne nuk bëjmë dot sa duam për më të moshuarit, por nuk do të lemë kurrë pa bërë gjithçka mundemi”, -shkruan Rama.