Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Presidenti i ri i Malit të Zi që largoi Gjukanoviçin


Jakov Milatoviç do të jetë president i Malit të Zi, pasi në balotazh të zgjedhjeve presidenciale e ka mposhtur Milo Gjukanoviçin me 20 për qind diferencë.

“Jakov Milatoviç i përket plejadës së politikanëve më të rinj malazezë, i cili vu në qendër të vëmendjes së opinionit politik kur hyri në qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiç si ministër i Zhvillimit Ekonomik”.

Miatoviq ka lindur në Podgoricë më 07 dhjetor 1986. Ai është i martuar me Milenën dhe ka tre fëmijë – vajzat Sara dhe Ana, dhe djalin David.

Në zgjedhjet lokale në Mal të Zi tetorin e kaluar, Lëvizja Evropa fitoi mbështetjen më të madhe në Podgoricë dhe njoftoi formimin e një qeverie me partitë fituese të zgjedhjeve parlamentare në gusht 2020, dhe Milatoviç shihej si kryetar i kryeqytetit.

PES e propozoi Millatoviqin për president të Malit të Zi pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor refuzoi kandidaturën e kolegut të tij partiak Spajiç dhe në raundin e parë zgjedhor fitoi 28.9 për qind të votave, me çka u kualifikua për në raundin e dytë – ku dhe sonte fitoi.

Presidenti i ardhshëm i Malit të Zi, shkollën fillore, të mesme dhe universitetin e kreu në Podgoricë.

Si bursist i qeverisë amerikane, ai kaloi një vit studimi në Universitetin Shtetëror të Illinois.

Pas kësaj ai studioi për një semestër në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit në Vjenë (WU Wien), këtë herë si bursist i Qeverisë së Austrisë. Komisioni Evropian i mundësoi atij të kalonte një vit studimi në Universitetin e Romës (La Sapienza). Si bursist i qeverisë britanike, ai mori një diplomë master në ekonomi në Universitetin e Oksfordit.

Krahas arsimit formal, Milatoviç ka ndjekur edhe programet e organizuara nga Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Fondacioni Gjerman Konrad Adenauer, Ambasada e Malit të Zi në Romë dhe Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Fakultetit Ekonomik në Podgoricë.

Përveç kësaj, ai kaloi programin “Oxbridge Academic” në Oxford, dhe programe të shumta të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Londër, London School of Economics (LCE) dhe të tjerë.

Ai gjithashtu trajnoi në Universitetin e Pekinit, Akademinë e Lidershipit të Universitetit të Stanfordit dhe Universitetin e Beogradit.

Ka punuar në sektorin bankar brenda dhe jashtë vendit, ka qenë pjesë e ekipit të analizës ekonomike dhe politike në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), është marrë me analizën ekonomike të rajonit të Evropës Juglindore dhe më pas analiza e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga viti 2018 deri në vitin 2020, ai punoi në Bukuresht si analist kryesor ekonomik i BERZH-it për Rumaninë, Kroacinë, Slloveninë dhe Bullgarinë. 

Milatoviç, i shkolluar në Britani dhe Shtetet e Bashkuara, ka këmbëngulur se dëshiron që Mali i Zi të bashkohet me BE-në, megjithëse disa nga partitë që mbështetën kandidaturën e tij janë me orientim prorus.