Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohen me eksploziv disa policë në Mitrovicën e Veriut


Në orët e hershme të së dielës, 2 prill, një mjet shpërthyes është hedhur në drejtim të zyrtarëve policor në Mitrovicë të Veriut, sipas një komunikate të lëshuar nga Policia e Kosovës.

Policia thotë se sulmi është kryer rreth orës 2:20 të natës “nga persona deri tani të panjohur”, ndërsa shton se mjeti shpërthyes i hedhur në rrugën “Ivo LlolaRibar”, tek Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve, dyshohet të jetë shok bombë.

Sipas njoftimit, Prokurori i shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për këtë rast si “sulm ndaj personit zyrtar”.

Në komunikatën e Policisë nuk bëhet e ditur për gjendjen dhe numrin e policëve të sulmuar.

Ky incident vjen pas disa rasteve të raportuara për djegie të veturave me targa RKS në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Mbrëmjen e së shtunës, 1 prill, Policia e Kosovës lajmëroi se e kishte arrestuar një person për pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Pas këtij arrestimi, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin në Mitrovicë të Veriut si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb” dhe paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”.

Për ta sqaruar, kjo nuk do të jetë ndonjë paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për ta ndalur shtypjen e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se “po shkakton kaos dhe po krijon një krizë të re”.

Djegia e veturave ka filluar vitin e kaluar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale.

Ky proces shkaktoi tensione në terren. Fillimisht, më 31 korrik u ngritën barrikada për këtë çështje, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fund të nëntorit të vitit të kaluar arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova pranoi të pezullojë procesin e ri-regjistrimit ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10.000 vetura të regjistruara me targa KM./REL.