Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Tirana sot, një nga qytetet më të pastra, vlerësohet edhe nga turistët dhe liderët


Kryetari i Bashkisë Tiranë ka publikuar videomesazhin e kësaj jave, adresuar qytetarëve të Tiranës.

Në fjalët e tij, Veliaj shprehet se është krenar për pastërtinë e qytetit, gjë që vlerësohet edhe nga turistët e huaj që vizitojnë Tiranën, prandaj kryeqyteti nuk ka qenë kurrë më i pastër se sa sot.

“Sot Tirana është një nga qytetet më të pastra në të gjithë rajonin tonë. Në 33 vite demokraci qyteti nuk ka qenë kurrë kaq i pastër dhe ky është fakt. Nuk e them vetëm unë, por Tirana s’ka qenë kurrë më e pastër. Nuk e themi vetëm ne dhe skuadra që punon përditë me përkushtim për ta mbajtur qytetin xixë, nuk e thonë vetëm qytetarët, që jetojnë këtu çdo ditë, e thonë vizitorët, e thonë turistët që na vizitojnë nga të katër anët e globit dhe kanë parë çdo qytet tjetër. Nuk kam fjalë për të shprehur emocionin dhe krenarinë që ndjeva kur liderët europianë vlerësuan pastërtinë dhe rregullin e Tiranës gjatë vizitës së tyre për Samitin e Bashkimit Europian, dhjetorin që kaloi”, tha Veliaj.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës mbulon një sipërfaqe prej më shumë se 1.250 km2, nga 42 km2 që gjetëm në 2015, pra është rritur 29 herë, me një popullsi që shtohet dita-ditës dhe që gjeneron mesatarisht 700 ton mbetje urbane përditë.

Sot, mbledhja dhe menaxhimi i mbetjeve ofrohet për 98% të popullsisë nga 60% që ishte 8 vjet më parë, në një territor shumë herë më të vogël. Është rritur frekuenca e mbledhjes së mbeturinave nga 2 në 3 herë në ditë në zonat urbane dhe për herë të parë, në zonat rurale ka një proces të mbledhjes dhe transportit të mbetjeve me një frekuencë që varion nga 3-7 herë në javë. Në pjesën më të madhe të ish komunave mbetjet nuk mblidheshin para 2015. Hidheshin në lumë e përrenj, me idenë se plehrat i merr lumi, por në fakt lumi kishte marrë mjedisin, turizmin e të ardhmen e fëmijëve tanë,” nënvizoi Veliaj.