Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet e naftës rriten pas lëvizjes së befasishme të OPEC-ut


Një njoftim i papritur nga grupi i vendeve prodhuese të naftës OPEC+ për një plan për të ulur prodhimin e tyre të kombinuar me 1.15 milionë fuçi të tjera në ditë i rriti çmimet e naftës së papërpunuar deri në 6% të hënën.

Prodhuesit e naftës, të cilët kontrollojnë afërsisht 50% të furnizimeve globale të naftës, morën një vendim për të pakësuar prodhimin e tyre duke filluar nga maji deri në fund të vitit 2023, në një lëvizje të krijuar për të stabilizuar tregjet, sipas një sërë njoftimesh të dielën mbrëma.

Arabia Saudite tha se do ulë prodhimin e tij me 500,000 fuçi në ditë, ndërsa Iraku njoftoi një ulje prej 211,000 fuçish në ditë. Emiratet e Bashkuara Arabe do e pakësojnë prodhimin me 144,000 fuçi në ditë, Kuvajti do ulë 128,000 fuçi në ditë, Kazakistani 78,000 fuçi në ditë, Algjeria 48,000 fuçi në ditë dhe Omani 40,000 fuçi në ditë.

Çmimet e naftës së papërpunuar u rritën pas lajmeve, me standardin ndërkombëtar Brent që u rrit me më shumë se 5.5% në 84.30 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e së ardhmes së Ëest Texas Intermediate u rritën me 5.6% në 79.90 dollarë.

Ministria e Energjisë saudite e quajti masën një ‘veprim paraprak që synon të mbështesë stabilitetin e tregut të naftës’. Muajin e kaluar, ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman paralajmëroi shtetet perëndimore kundër kufizimit të çmimit të naftës së papërpunuar të furnizuar nga mbretëria, duke shtuar se çdo përpjekje për të vendosur një tavan do përballej me një ndalim të shitjeve dhe shkurtimeve të prodhimit.

Ky veprim e la Uashingtonin të zhgënjyer, pasi vjen në kundërshtim me kërkesën e SHBA-së ndaj prodhuesve të naftës për të rritur prodhimin e tyre dhe për të ulur çmimet. Presidenti Joe Biden madje udhëtoi në Riad korrikun e kaluar për t’u takuar me princin e kurorës Mohammed bin Salman.