Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se tani e tutje, ‘dyert e tij janë të mbyllura’ për ambasadorin amerikan në Ankara, Jeffry Flake, duke kritikuar takimin e fundit të diplomatit me rivalin e tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Erdogan mori pjesë të dielën në një ceremoni në lagjen Bagcilar të Stambollit, kushtuar hapjes zyrtare të gati 100 shtëpive dhe objekteve të tjera të ndërtuara pas një serie tërmetesh shkatërruese.
Në një takim pasues me një grup zyrtarësh nga lëvizja e ekstremit të djathtë ‘Ujqërit gri’, ai u përqendrua në zgjedhjet e 14 majit dhe abuzimin e dyshuar të të dërguarit të SHBA-së me autoritetin e tij diplomatik.
“Ne duhet t’i japim Amerikës një mësim në këto zgjedhje,” tha Erdogan, cituar nga Anadolu.
Ambasadori Flake u takua me kreun e Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Kilicdaroglu, më 29 mars, ‘si pjesë e bisedimeve të vazhdueshme me partitë politike turke për çështje me interes të ndërsjellë midis dy vendeve tona’, sipas një postimi në Twitter nga ambasada amerikane.
“Dyert tona janë të mbyllura për të, ai nuk mund të hyjë më. Pse? Ai duhet të dijë vendin e tij”, tha Erdogan.
“Turp të keni. Ju jeni një ambasador. Bashkëbiseduesi juaj këtu është presidenti.”
Vërejtjet e Erdogan vijnë më pak se gjashtë javë përpara se zgjedhjet presidenciale dhe të përgjithshme të mbahen në Turqi më 14 maj, me Kilicdaroglu të paraqitur nga një aleancë prej gjashtë partish opozitare si kundërshtarin e tij kryesor pas disa muajsh lufte të brendshme politike.
Presidenti dhe Partia e tij në pushtet AK pritet të përballen me një sfidë të vështirë pas tërmetit shkatërrues që vrau më shumë se 50,000 njerëz në vend në fillim të shkurtit.