Vendosni fjalën kyçe....

“Jam plotësisht i pafajshëm” – Thaçi e Krasniqi në nisje të seancës ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së


Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ish-kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi kanë deklaruar se janë krejtësisht të pafajshëm, në seancën në Gjykatën Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“E kuptoj aktakuzën, jam plotësisht i pafajshëm.” – deklaroi Thaçi në hyrje të seancës.

“E kam të vështirë që ta kuptoj akuzën dhe mënyrën si është përpiluar kjo akuzë. Skam asnjë lidhje me akuzat që lexoi prokuroja. Akuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet. Jam krejtësisht i pafajshëm.” – tha Krasniqi.

Sot në Hagë po zhvillohet seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Ata akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës që prej nëntorit 2020.

Gjykata Speciale i akuzon katër ish-krerët e UÇK-së për krimet ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.