Vendosni fjalën kyçe....

Finlanda anëtarësohet sot në NATO – Stoltenberg


Finlanda do bëhet zyrtarisht anëtari i 31-të i NATO-s të martën, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg në një deklaratë të hënën.

“Kjo është një javë historike”, u tha Stoltenberg gazetarëve në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s.

“Nga nesër, Finlanda do të jetë një anëtare e plotë e aleancës”, tha ai, duke shtuar se ‘do të jetë një ditë e mirë për sigurinë e Finlandës, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi’.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe ministri i Mbrojtjes Antti Kaikkonen pritet të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit në Bruksel së bashku me ministrin e Jashtëm Pekka Haavisto, i cili u zotua të theksojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën gjatë takimit.

Masa vjen vetëm tre ditë pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan konfirmoi ratifikimin e hyrjes së vendit nordik në organizatë. Kjo i jep fund një procesi të zgjatur pranimi që filloi verën e kaluar kur Finlanda dhe Suedia braktisën pozicionin e tyre tradicional të asnjanësisë dhe aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n, duke përmendur shqetësimet për agresion të mundshëm rus.

Turqia kishte kundërshtuar kandidaturat e Helsinkit dhe Stokholmit duke përmendur mbështetjen e tyre të supozuar të ‘grupeve terroriste’. Megjithatë, muajin e kaluar, Erdogan vlerësoi ‘hapat autentikë dhe konkretë’ të Finlandës për të adresuar shqetësimet e sigurisë turke. Ai ende nuk ka dhënë një tregues të qartë se kur Ankaraja do ratifikojë kërkesën e Suedisë për t’u bashkuar me bllokun.

Moska, ndërkohë, ka reaguar ndaj pranimit të Finlandës në NATO duke deklaruar se Rusia nuk do ketë zgjidhje tjetër veçse të përforcojë potencialin e saj ushtarak në kufijtë perëndimor dhe veriperëndimor si përgjigje.

“Në rast se forcat dhe asetet e anëtarëve të tjerë të NATO-s vendosen në Finlandë, ne do ndërmarrim hapa shtesë për të garantuar në mënyrë të besueshme sigurinë ushtarake të Rusisë”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko të hënën.