Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta reagoi pas vendimit të arbitrazhit që dënon Shqipërinë me 110 mln euro për mbylljen Agon Channel, televizioni i biznesmenit italian, Francesco Becchetti.
Gjatë një takim me strukturat e Partisë së Lirisë në Shkodër, ku prezantoi kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia, Meta tha se shqiptarët do të detyrohen të paguajnë nga taksat e tyre 110 milionë euro, vetëm për “qefet” e kryeministrit Edi Rama.
Meta tha se Rama është armik i çdo sipërmarrësi që nuk mund ta kontrollojë.
Ai paralajmëroi se të tilla gjoba do të vijojnë të vendosen ndaj televizioneve dhe bizneseve të tjera që sulmohen nga Edi Rama.
“E morët vesh lajmin sot besoj, shqiptarët do detyrohen të paguajnë 110 mln euro për qefin e Ramës e Velisë që mbyllën një televizion që nuk e kishin në kontroll. Gjobat do vijojnë edhe me televizione dhe biznese të tjera. Sepse janë armiq të betuar të konkurrencës së lirë dhe çdo sipërmarrësi që nuk u nënshtrohet. Të gjithë bashkë më 14 maj votojmë listën tonë fituese”, tha Meta.