Shtatë turistë u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën në një ortek të madh në shtetin verilindor të Indisë, Sikkim, tha policia lokale të martën.
Incidenti ndodhi rreth orës 11:10 të mëngjesit me orën lokale, tha ushtria në një deklaratë për CNN.
Ushtria tha se të paktën 20 njerëz u shpëtuan të gjallë pasi disa automjete që udhëtonin drejt kalimit malor Nathu La u goditën nga bora.
Disa nga të mbijetuarit ishin në gjendje kritike dhe operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar, tha zyrtari i lartë i policisë Tenzing Loden Lepcha.
Orteku ndodhi pranë kalimit malor Nathu La dhe goditi një rrugë që lidh Nathu La dhe kryeqytetin e shtetit Gangtok.
Lepcha tha se ortekët ishin të pazakontë në këtë kohë të vitit dhe fajësoi shiun dhe borën josezonale në zonë.
350 turistë të tjerë dhe 80 automjete u shpëtuan pasi rrugët u pastruan nga bora, tha ushtria.
Kavita Agarwal, një udhëtare nga Delhi, i tha Reuters se policia i paralajmëroi turistët të mos vizitonin një liqen në rrugën për në kalimin Nathu La për shkak të motit të keq.
“Të shqetësuar nga orteku në Sikkim. Ngushëllime atyre që kanë humbur të dashurit e tyre”, shkroi kryeministri indian Narendra Modi në Twitter.
“Shpresoj që të lënduarit të shërohen shpejt. Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar dhe e gjithë ndihma e mundshme po ofrohet për të prekurit.”