Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se nëpërmjet Avokaturës Shtetërore, Kosova ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar ndaj kompanisë private për rastin e “Dardafonetit”.
Kjo duket si “fitore e Pirros” pasi shteti i Kosovës nga çështja mes Telekomit dhe Dardofonetit ka fituar vetëm kostot e gjyqit 1.3 milionë euro ndërkohë që për të njëjtën ka humbur 11.6 mln euro në Gjykatën e Arbitrazhit.
“Pak ditë më parë, Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit ka lëshuar vendim duke hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli dhe duke urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës”, shkruan Kurti.
Një vit më parë Telekomi i Kosovës” u detyrua që t’i paguajë mbi 11 milionë euro kompanisë “Z-Mobile” pasi humbi kundër kompanisë “Dardafon.net L.L.C” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, raportonte Kallxo.com më 22 shkurt 2022.
Arbitrazhi e detyronte Telekomin e Kosovës të paguante 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net L.L.C”. Përveç kësaj për këtë shumë Telekomi do të paguajë edhe 8 për qind interes që do të llogaritet nga tetori i vitit 2019.
Nga kjo shumë prej 10.2 milionë euro, 7 milionë e 590 mijë do t’i paguajë në emër të fitimeve të humbura të “Z-Mobile”. Ndërsa Telekomi detyrohet që t’i paguajë edhe 2 milionë e 680 mijë euro në lidhje me dëmet e likuiduara të “Z-Mobile”.
Dispozitivi i vendimit tregon që është hedhur poshtë kundërpadia e Telekomit kundrejt “Z-Mobile”.
Përveç vendimit bazë, Telekomi i Kosovës është i obliguar që t’ia paguajë kompanisë së Blerim Devollit shpenzimet e bëra për arbitrazh në shumën prej 1 milion e 290 mijë e 770 euro. Telekomi do të paguajë edhe 117 mijë euro për kostot fikse për arbitrazh. Koha për pagesën e 1.4 milion eurove është 30 ditë, ndërsa pas kësaj periudhe Telekomi ngarkohet me një normë të interesit prej 8 për qind.
Të gjitha këto detyrime që Tekokomi duhet t’i paguajë “Z-Mobile” kapin shifrën e 11 milionë e 667 mijë euro.