Vendosni fjalën kyçe....

Blerja e energjisë për humbjet, KESH dhe OST amendojnë kontratën, shkak Bursa


Mbulimin e humbjeve në rrjetin e tij, Operatori i Sistemit të Transmetimit e siguron përmes një procedure standarde të përcaktuar në një kontratë paraprake me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare.

Por fillimi i funksionit te Bursës Shqiptare të Energjisë përcakton që transaksionet të kryhen në këtë platformë dhe tashmë këto kompani janë anëtarë të regjistruar të saj.

Për këtë arsye pranë Entit Rregullator të Energjisë është kërkuar që të amendohet kontrata aktuale duke reflektuar pjesën e bursës ku kompanitë tashmë janë anëtare të regjistruara.

“Ashtu sikurse, është bërë tashmë me dije, së shpejti Bursa Shqiptare e Energjisë do të fillojë punën dhe rrjedhimisht, VKM Nr. 519, date 13.7.2016 “Për Miratimin e Modelit të Tregut të Energjisë Elektrike” (i ndryshuar) dhe Vendimi i ERE Nr. 347, date 27.12.2022 “Mbi Miratimin e Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike (Rregullat e Alpex Përkufizimet, Procedura e Tregtimit si dhe Procedura e Klerimit dhe Shlyerjes)”, hyjnë në fuqi dhe bëhen të aplikueshëm.

Në këto kushte, palët me vullnetin e tyre te lirë dhe të përbashkët kanë vendosur të amendojnë Kontratën ”Për shitblerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e transmetimit”, ndërmjet OST sh.a dhe KESH sh.a., për periudhën kohore 02.07.2022 – 31.12.2022, midis OST sh.a dhe KESH sh.a. (e amenduar), me qëllim reflektimin e të drejtave dhe detyrimeve të palëve për rregullimin e proceseve të barazimeve financiare të energjisë elektrike sipas skemës ku, ALPEX do të sigurojë shlyerjen e volumit të kontraktuar në ALPEX DAM, sipas Rregullave të Tregut; dhe nëse çmimi klerues për ato Njësi Kohore të Tregut në DAM është më i lartë se çmimi i kontratës, shitësi do të kompensojë blerësin për diferencën midis çmimit klerues për ato Njësi Kohore të Tregut në DAM dhe çmimit të kontratës.

Përkatësisht, nëse çmimi klerues për ato Njësi Kohore të Tregut në DAM është më i ulët se çmimi i kontratës, blerësi do të kompensojë shitësin për diferencën ndërmjet çmimit klerues për ato Njësi Kohore të Tregut në DAM dhe çmimit të kontratës” thuhet në shkresën që i është dërguar Entit Rregullator të Energjisë lidhur me amendimin e kontratës ekzistuese.

Enti e ka nxjerrë këtë amendim për konsultim dhe më pas pritet të kalojë në procedurën e diskutimit dhe miratimit nëse shihet e arsyeshme pjesa e argumentimit që bëhet nga operatorët.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor