Vendosni fjalën kyçe....

SHBA shpall non grata katër gjyqtarë të lartë në Gjeorgji, reagimi: Fyerje ndaj sovranitetit, jemi vend i pavarur


Departamenti i Shtetit ka vendosur katër gjyqtarë gjeorgjianë në listën e zezë të vizave, njoftoi të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke i akuzuar ata për ‘përfshirje në korrupsion të madh’.

Mikheil Chinchaladze, Levan Murusidze, Irakli Shengelia dhe Valerian Tsertsvadze ‘abuzuan me pozitat e tyre si kryetarë gjykatash dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Gjeorgjisë, duke minuar sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor të Gjeorgjisë’, tha Blinken në një deklaratë.

SHBA-ja ‘vazhdon të qëndrojë me të gjithë gjeorgjianët në mbështetje të demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe do vazhdojë të promovojë përgjegjësinë për ata që abuzojnë me pushtetin publik për përfitime personale. Ne qëndrojmë me të gjithë gjyqtarët që kanë integritetin dhe guximin për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe të pavarur’, shtoi Blinken.

Katër gjyqtarët në fjalë kanë qenë në gjykatë që nga presidenca e revolucionarit të mbështetur nga SHBA, Mikhail Saakashvili, i cili u rrëzua nga pushteti në 2012.

Murusidze, i cili mban një emërim të përjetshëm në Gjykatën e Apelit të Gjeorgjisë, e quajti njoftimin e Blinken një ‘përpjekje për të nënshtruar gjykatat gjeorgjiane dhe sistemin e drejtësisë gjeorgjiane ndaj SHBA-së’, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

Irakly Kobakhidze, kryetari i partisë në pushtet ‘Georgia Dream’, gjithashtu dënoi njoftimin si një ofendim kundër sovranitetit të vendit të tij.

“SHBA nuk mendon se ne jemi një vend,” tha Kobakhidze për kanalin televiziv lokal Imedi. Ai u zotua të mbrojë interesat gjeorgjiane me çdo kusht dhe ‘t’u tregojë të gjithëve se jemi një shtet i pavarur’, duke premtuar se nuk do lejojë që sistemi i drejtësisë së vendit të ‘dëmtohet nga asnjë veprim i padrejtë’.

Megjithatë, partia në pushtet nuk ka marrë ende në konsideratë një përgjigje ndaj sanksioneve të SHBA.

Tbilisi u përball me një trazirë njëjavore muajin e kaluar lidhur me një ligj të propozuar për regjistrimin e agjentëve të huaj, të cilin ambasada e SHBA e denoncoi si një kërcënim për demokracinë. Departamenti i Shtetit kërcënoi me sanksione kundër Gjeorgjisë nëse propozimi miratohej dhe mijëra aktivistë të opozitës rrethuan parlamentin për ditë të tëra derisa ligjvënësit tërhoqën projektligjin.