Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se duhet ulur mllefi për industrinë e ndërtimit, duke iu përgjigjur kritikave për shtrimin e numrit të ndërtimeve në kryeqytet.
Sipas Veliajt, nëse nuk do të ishte për industrinë e ndërtimit 100 mijë vetë do të kishin ngelur pa punë.
“Nuk më rezulton që shikoni më njerëz me matrapik rrugëve. Nëse i shohim faqet e INSTAT-it duhet t’i shohim të gjitha. Jo vetëm sa ndërtohet dhe cilat leje janë dhe tipologjinë e lejes, se dhe një që shtron pllakat e banjës duhet të marrë leje apo që ndërron çatinë, por duhet të shikoni dhe çfarë sjell te ajo faqja tjetër e INSTAT-it, te punësimi. Na rezulton që 100 mijë veta punojnë në ndërtim. Sot te piramida punojnë indianë për të mbaruar në kohë, sepse nuk ka më njerëz, sepse është ezauruar i gjithë grupi i njerëzve që merret me ndërtim,” – deklaroi kryebashkiaku në emisionin “Now” në Euronews.
Veliaj theksoi se nuk i ka kompleks oligarkët sepse paguajnë taksën e 10-fishuar të ndërtimit.
Ai tha se ju çon fatura dhe ka dashur të japë mesazhin si i majtë që kush ka më shumë do të paguajë më shumë.
“Oligarkët jo vetëm që si kam kompleks, por Samirit, Çetit, Ram Gecit e të tjerëve iu pres faturë. Pse jeni kaq të frustruar, iu jeni përfituesit kryesor të ndërtimeve. Ju pa ndërtime s’do kishit televizione sot,” – u shpreh Veliaj.