Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, ka nxjerrë të enjten një vendim, me të cilin e detyron ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa, t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave të vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe torturës.
Më 16 dhjetor 2022, Mustafa u dënua me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale, si i akuzuar për këto vepra, që sipas gjykatës janë kryer në vitin 1999, kur në Kosovë po zhvillohej luftë në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit (ZOLL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 6 prill 2023, gjykata konstatoi tetë viktima, të cilave do t’u takojë dëmshpërblimi.
Tri prej tyre konsiderohen viktima të drejtpërdrejta.
Përkatësisht, sipas vendimit të gjykatës, ata kishin qenë të ndaluar në një qendër ndalimi në Zllash dhe kishin pësuar dëmtime fizike dhe mendore nga keqtrajtimi.
Sipas gjykatës, atyre iu është shkaktuar edhe dëm material pasi ai keqtrajtim ua kishte ndryshuar rrjedhën e jetës dhe pamundësuar zhvillimin e një karriere.
Për këto viktima, me urdhër të gjykatës, u përcaktua dëmshpërblimi prej 80 mijë, 60 mijë dhe përkatësisht 30 mijë eurosh.
Tutje, në urdhër u përfshinë edhe pesë viktima jo të drejtpërdrejta që janë familjarë të një personi të vdekur në prill të vitit 1999 dhe që vdekja e tij, sipas gjykatës, “mund t’u atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.
Këta familjarë u dëmshpërblyen veç e veç: Tre prej tyre me nga 10 mijë euro, një me pesë mijë dhe një me dy mijë euro.
Sipas vendimit të gjykatës, përgjegjësinë e pagesës së këtyre dëmeve e ka ekskluzivisht Salih Mustafa.
Aktualisht, sipas gjykatës është konstatuar se Mustafa nuk i zotëron mjetet për ta bërë këtë pagesë dhe kështu pritet përcaktimi i një autoriteti mbikëqyrës në lidhje me zbatimin e urdhrit për dëmshpërblim, i cili do të përcaktojë edhe më hollësisht mundësitë financiare të Mustafës për të paguar dëmshpërblimin.
Tutje, buxheti i shtetit të Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë është përmendur si opsion për të siguruar pagesën e viktimave./REL.