Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi prezanton programin për mjedisin: Lana hapësirë pushimi, 500 oaze të gjelbërta në kryeqytet


Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi prezantoi programin e tij për mjedisin dhe pyjet në Tiranë.

Në një tryezë me përfaqësues të botës akademike dhe shoqërisë civile, Këlliçi tregoi planin për të përmirësuar cilësinë e ajrit, ujërave dhe tokës në Tiranë.

Këlliçi tha se gjatë 8 viteve Tirana është kthyer në një nga qytetet me më pak hapësira të gjelbërta, për shkak të hapjes së shesheve të ndërtimit për kulla, për këtë shkak thotë ai, Tirana është një ndër qytetet më të ndotura të Europës.

Në Tiranë në 8 vitet e fundit janë zhdukur rreth 520 mijë metra katror gjelbërim, për t`i hapur rrugë ndërtimit, betonizimit të kryeqytetit edhe për ta shndërruar Tiranën në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave. Tirana për fatin tonë të keq është një ndër 10 qytetet më të ndotura në botë, një ndër 10 kryeqytetet më të ndotura të Europës. Ndotja në vetvete është pasojë e betonizimit padiskutim, pakjes së gjelbërimit dhe trafikut të rënduar”-tha Këlliçi.

Gjtaë prezantimit të planit të tij, Këlliçi tha se lumi Lana do të kthehet në një hapësirë pushimi dhe ujrat e zeza nuk do të derdhen më aty.

 “Lumi Lana, brenda mandatit të parë, do të kthehet në një hapësirë pushimi dhe rekreacioni. Ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lanë, në liqenin artificial apo atë të Farkës. Në segmentin lumor, nga “Materniteti i Ri” e deri te “Pallati me Shigjeta”, kudo ku të saktësojnë ekspertët e fushës, do të shtrohen tuba në skarpatën e lumit, që do të mundësojnë kalimin e ujërave të zeza nga daljet e deritanishme me dy kolektorë me kapacitet të madh, të cilët do të lidhen me impiantin e ujërave të zeza në Kashar”-u shpreh kandidati opozitës për bashkinë e Tiranës.

Një tjetër angazhim ambicioz, është ai për ndërtimin e 500 oazeve të gjelbërta në lagjet e kryeqytetit. Belind Këlliçi u shpreh se këto oaze do ta bëjnë qytetin një vend të jetueshëm për të gjithë qytetarët.

“Ajo çka ne propozojmë, që janë 500 oaze të gjelbërta, apo 500 vendpushime në qytet, nga një për secilën lagje. Nëpërmjet tyre do ta transformojmë Tiranën nga një qytet i keqplanifikuar, i mbytur në beton, në një qytet të jetërsueshëm modern, që i jep përparësi qytetarëve duke u mundësuar hapësira të gjelbërta pranë shtëpisë së tyre dhe pranë komuniteti ku ka banorë”, -tha Këlliçi.